Gjykata Kushtetuese mbeti pa kryetar. Për të tetën herë gjykatësit votuan, por asnjëri nga kandidatët nuk mori besimin e dy të tretës së kolegëve, shkruan Alsat.
Kandidatja Ana Pavllovska Daneva u tërhoq nga gara nën arsyetimin për të mos krijuar krizë kushtetuese, megjithatë, kundërkandidatja e saj Tanja Vasiq Bozaxhieva, nuk arriti të zgjidhet pasi mori vetëm 5 vota, nga 6 të nevojshme. Po aq mori edhe kandidati i tretë, Osman Kadriu.
Rregullorja parasheh që procedura e zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, përsëritet derisa nuk zgjidhet kryetari. Nuk dihet se sa do të zgjasë kjo situatë. Gjykatësit po konsultohen mes tyre për të vazhduar seanca, ndërkaq deri në zgjedhjen e kryetarit, Gjykata do të vendosë në mënyrë kolektive.
“Duke e pasur parasysh se ende nuk është zgjedhur kryetar i Gjykatës, ndërkohë me qëllim që Gjykata Kushtetuese të funksionojë pa pengesë, gjykatësit njëzëri morën qëndrim se çështjet të cilat kanë të bëjnë me menaxhimin, të vendoset në mënyrë kolektive”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.
Në pjesën e punës me lëndë, nga Gjykata thonë se punojnë pa pengesa, konkretisht pranojnë lëndë dhe lëndët ekzistuese po punohen dhe u janë ndarë gjykatësve dhe këshilltarëve.
Procedura për zgjedhjen e kryetarit ka nisur më 30 maj, ndërkaq deri më tani gjykatësit kanë votuar 8 herë, por asnjëri prej kandidatëve nuk ka fituar besimin për të udhëhequr me gjykatën në tre vitet e ardhshme.
Paraprakisht, në krye të gjykatës ishte Dobrilla Kacarska, e cila, pasi mbaroi mandatin tha se derisa ka qenë në këtë pozitë ka pasur kërcënime, madje edhe sulm fizik./ Alsat.mk