Nga Gjykata Kushtetuese njoftojnë se pas letrës që kanë pranuar nga Kuvendi, ku u njoftuan për aktvendimin e Gjykatës Administrative, me të cilin shfuqizohet vendimi i vitit 2023 për zgjedhjen e gjyqtares kushtetuese Elizabeta Dikovska, ka vendosur që ta anulojë seancën përgatitore në lidhje me kontestimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Nga Kushtetuesja thonë se ky vendim vjen pasi Dukovska ishte gjykatëse përgjegjëse në lëndën në të cilën kontestohen pjesë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Gjykata vendosi: Të shtyhet seanca përgatitore për lëndën për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, e cila ishte caktuar për datën 19 qershor 2025, për faktin se gjyqtarja të cilës i referohet vendimi për anulimin e zgjedhjes me aktvendim të Gjykatës Administrative është gjyqtare referuese për rastin konkret, dhe po ashtu, për shkak se Gjykata ka nxjerrë një konkluzion sipas të cilit, veprimi në këtë lëndë do të zhvillohet në përbërje të plotë të Gjykatës”, thuhet mes tjerash në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Nga Kushtetuesja rasti me Dukovskën paraqet precedent ligjor.
“Gjykata Kushtetuese nuk komenton vendimin e Gjykatës Administrative. Veprimet e të gjitha organeve të përfshira, si Këshilli Gjyqësor, Kuvendi dhe Gjykatat Administrative, në këtë rast krijuan një precedent ligjor që krijoi një situatë ligjore me të cilën asnjë përbërje e mëparshme e Gjykatës Kushtetuese nuk është përballur ndonjëherë. Një precedent i tillë ligjor padyshim krijon implikime juridike në veprimet e Gjykatës Kushtetuese në përputhje me juridiksionin e saj”.