Kushtetuesja shfuqizon udhëzimin e Llogës, certifikatat e lindjes pa grafën etnike

Gjykata Kushtetuese në seancën e mbajtur sot ka marrë vendim që të rrëzojë Udhëzimin e sjellur nga Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, sipas të cilit në certifikatat e lindjes, vdekjes dhe dokumentet tjera nga librat amë, duhet të shkruhet edhe përkatësia etnike e qytetarit. Por megjithatë, Ministria e Drejtësisë nuk e ka publikuar këtë Udhëzim brenda afatit të duhur ligjor në Gazetën Zyrtare, përcjell KlanM. Kjo ka bërë që Gjykata Kushtetuese të marrë iniciativë dhe sot Vendim për anulim të këtij udhëzimi.

Marketing

Zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Hristina Belovska, në konferencën e sotme për media informoi se Vendimi është marrë me shumicë votash dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare.

“Kur Gjykata Kushtetuese merr vendim për anulim, kjo do të thotë se vendimi ka fuqi prapavepruese, duke u konsideruar nga momenti i miratimit të aktit që anulohet”, sqaroi Belovska.

Ajo theksoi se Udhëzimi është anuluar për shkak se Gjykata ka gjykuar se është shkelur neni 52 paragrafi 2 i Kushtetutës, përkatësisht nuk është respektuar afati kushtetues në të cilin është dashur të publikohet ky udhëzim.

“Ai nen parashikon një afat publikimi ‘jo më vonë se 7 ditë nga dita e sjelljes. Gjykata Kushtetuese tashmë ia ka bërë të qartë opinionit se çështjes së afatit nuk i qaset teknikisht, por esencialisht dhe ai duhet të respektohet nga të gjithë”, shtoi Belovska.