Kuvendi pritet që në seancën e radhës të debatojë për propozim-vendimin për nënkryetarët e Parlamentit. Ligjit për Kuvend parashikon zgjedhjen e pesë nënkryetarëve të Kuvendit, prandaj propozimi mbetet i tillë, sqaroi kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili në takimin e sotëm me gazetarët shtoi se në takimin koordinues grupet e deputetëve u dakorduan të vazhdojë kjo mbledhje.
“Sa i përket propozim vendimit për numrin e nënkryetarëve, unë qëndroj në atë propozim për faktin që ajo nuk është dëshirë e imja personale është obligim që buron nga Ligji për Punën e Parlamentit dhe punën dhe për funksionim të parlamentit dhe numri është ai që është propozuar, ndërsa pas miratimit të vendimit partitë politike janë dakorduar që të miratohet vendimi. Veprimi konkret për zgjedhjet personale të nënkryetarëve është çështje e të drejtës së partive politike, gjegjësisht deputetëve dhe konform propozimeve konkrete që do të burojnë nga vendimi në seancat vijuese do të mund të zgjidhen edhe nënkryetarët.”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi.
Sipas Rregullores, opozita ka një vend nënkryetari, dy i propozon Komisioni për Zgjedhje, ndërsa dy janë të shumicës. Deri në përfundim të debatit, siç sqaroi Xhaferi, deputetët mund të parashtrojnë amendamente për ndryshim të këtij vendimi, ndërsa ai si propozues të deklarohet për të.