Kuvend, formohet iniciativa për një njësi zgjedhore

Në Kuvendin e RMV-së u formua Iniciativë për një njësi zgjedhore, në të cilën janë përfshirë 12 deputetë nga 10 parti dhe një deputet i pavarur. Grupi, siç informojnë nga Iniciativa, është formuar në takimin në Klubin parlamentar të deputetëve, të mbajtur më 11 shtator të vitit 2019, nga deputetë të cilët angazhohen për model zgjedhor proporcional me një njësi zgjedhore.

Marketing

“Si deputetë nga Iniciativa kërkojmë që të përfshihemi në procesin e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, në të cilin jemi të obliguar si shtet pas vërejtjeve të OSBE/ODIHR nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Për këtë qëllim, sot me shkrim përmes arkivit kërkuam takim me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin dhe me kryetarët e tri partive LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI, të cilët e udhëheqin këtë proces”, qëndron në kumtesën e Iniciativës.

Prej atje vlerësojnë se në këtë mënyrë do të sigurohet transparencë më e madhe dhe përfshirje e gjithë procesit, si dhe respektim i vullnetit të atyre qytetarëve të cilët presin demokratizim të vendit përmes ndryshimeve në modelin zgjedhor.

“Gati dy dekada, që nga vitit 2002 e deri më tani, në Maqedoni është në fuqi modeli zgjedhor proporcional me gjashtë njësi zgjedhore. Kjo është periudhë e mjaftueshme që të mund të shihen dhe analizohen efektet pozitive dhe negative nga ai. Ai ishte gjithsesi model më i mirë nga modelet paraprake zgjedhore të shumicës, sepse siguroi zgjedhje më të drejtë të deputetëve sipas numrit të votave të votuesve. Megjithatë, shpërndarja e votave të tjera nga listat të cilat nuk siguronin mandat, përmes Metodës së Dontovit, shkon në favor të subjekteve më të mëdha”, theksojnë në kumtesë.

Sipas tyre e meta më e madhe e këtij modeli është kufizimi i listave të partive ose individëve që të sigurojnë mandat, nëse nuk kanë koncentrim të votave në një njësi zgjedhore. “Kështu, siç bëjnë të ditur, ka ndodhur që të bien lista të cilat në nivel të gjithë shtetit kishin 30-40.000 vota, ndërsa në Parlament të mund të hynë, me përjashtime të vogla, vetëm disa parti më të mëdha.

Vlerësojnë se kjo ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë negativ ndaj demokracisë në RMV, duke stimuluar vetëm disa parti të mëdha, duke i detyruar subjektet tjera politike për koalicione parazgjedhore, ndërsa duke iu pamundësuar qytetarëve që të ndikojnë direkt ndaj zgjedhjes së deputetit nga ndonjë profil i caktuar ideologjik, jashtë ofertës zi-bardh.

Pas iniciativës qëndrojnë Liljana Popovska, Maja Moraçanin, Rubin Zemon, Ferid Muhiq, Mirosllav Jovanoviq, Panço Minov, Samka Ibraimovski, Juliana Nikollova, Jusuf Hasani, Rexhep Memedi, Alia Kamberovski dhe Hamdi Bajram./MIA