Komisioni për Çështje Evropiane (KÇE) miratoi propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike dhe Këshillin e Prokurorëve Publik. Gjatë shqyrtimit të amendamenteve, Aleanca për Shqiptarët kërkoi që nga neni 110 të hiqen dispozitat për mos përdorimin e bombave si indikacione për dëshmi në procedurë. Sipas deputetit Syrija Rashidi, pas nenit 110 fshihet amnisti.
Propozimi final i ligjit ndryshoi sidomos neni 110 dhe dilema që kemi pas ne ka qenë se përmes nenit 110 tentohet një amnisti e krimit dhe kriminelëve- tha Syrija Rashidi, Deputet i ASH-së.
Komisioni nuk pranoi amendamentin e opozitës shqiptare. Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska theksoi se pranimi i këtij amendamenti hap kutinë e Pandorës.
Për faktin se me pranimin e çfarëdo amendamenti hapet kutia e Pandorës dhe rrezikon që ligji të bllokohet në seancë plenare dhe kthehet në lexim të tretë, më duhet ta refuzoj amendamentin – u shpreh Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.
Pas refuzimit, opozita shqiptare lëshoi mbledhjen e komisionit. Ndërkohë, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski akuzoi pushtetin se përmes nenit 110 tenton të shmanget përgjegjësia e funksionarëve të LSDM-së. Në foltore, Milloshoski publikoi një përgjim në të cilin sipas tij kryetari i LSDM-së flet me një person mbi financimin e televizionit të Boki 13-tës.
Të mendojmë mirë se kë po e mbrojmë dhe pse me nenin 110 propozohet amnisti e fshehur dhe ndalohet që në të ardhmen të shqyrtohen indikacione të materialeve dhe përdorimin e tyre si dëshmi për luftë efikase dhe të paanshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit – deklaroi Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Shumica parlamentare beson se i ka siguruar 80 votat e nevojshme për miratimin e dy ligjeve sistematike. Artan Grubi thotë se të gjitha kërkesat e BDI-së janë pranuar, përfshi edhe përdorimin e shqipes dhe uljen e kritereve për zgjedhjen e prokurorëve.
Duke pasur parasysh se si eci debati në komision dhe atmosferën brenda deputetëve unë besoj se i kemi 80 vota. Ne seancën e ardhshme, këto dy ligje dhe disa ligje tjera që duhet t’i përfundojmë gjatë këtij mandati me qëllim që në mars ose maj të marrim datë për fillimin e negociatave me BE-në – tha Artan Grubi, Deputet i BDI-së.
Dyja ligjet tashmë kalojnë në seancë plenare. Aleanca për Shqiptarë dhe Lëvizja Besa janë deklaruar se nuk do ta mbështesin një ligj i cili sipas tyre, përmes nenit 110 mundëson amnisti të fshehur.