Me 62 vota “për” dhe asnjë “kundër” dhe “të përmbajtur”, pushteti dhe opozita njëzëri miratuan Projektligjin e plotësuar për përgjegjësi civile për fyerje dhe shpifje. Ndonëse ndryshimet u miratuan me konsensus sërish pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara rreth zgjidhjes ligjore.
“Janë pranuar amendamentet e propozuara nga deputetët, Mile Lenjkov dhe Rashela Mizrahi, me të cilat është përmirësuar teksti i ligjit dhe janë parandaluar keqpërdorimet, por është larg nga një ligj i mirë. Shtohet se rregullat profesionale të gazetarisë duhet të jenë në përputhje me parimet etike të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve. Në të gjitha nenet e projektligjit fjala publik fshihet në të gjithë tekstin, termi mjet informimi është i futur si term më i gjerë, shtrohet pyetja se cilat janë ato mjete të informimit që i nënshtrohen ligjit për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje dhe cilat jo. Bloget e internetit, forumet, rrjetet sociale, hulumtuesit duhet të ishin përcaktuar saktë, por ata nuk pranuan vërejtjet që ne i paraqitëm në komision.”,- deklaroi Jovan Jaulevski nga VMRO-DPMNE.
“Nuk mund të flasim për lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit, përhapjen e informacionit dhe nga ana tjetër, të kemi dënime të larta për ata që kalojnë kufirin, edhe pse e kanë kaluar kufirin me vetëdije dhe duhet të mbajnë përgjegjësi, por a duhet të dënohet kështu. Shpresoj që të gjitha ato dilema që ekzistonin dhe ndoshta praktika gjyqësore jokonsistente me zgjidhjen e mëparshme ligjore do të mund të kapërcehen më në fund me zbatimin e kësaj zgjidhjeje ligjore.”,- u shpreh Snezhana Kalevska Vançeva nga LSDM.
Sipas ligjit aktual, gazetari mund të gjobitet për fyerje dhe shpifje me maksimum 2 mijë euro, 10 mijë redaktori dhe 15 mijë personin juridik. Me ndryshimet e reja ligjore këto gjoba ulen në 400 euro për gazetarin, 2 mijë euro për redaktorin dhe media jo më shumë se 5 mijë euro në kundërvlerë në denarë.