Pas një periudhe të gjatë funksionimi në kushte të jashtëzakonshme dhe masa kufizuese, Kuvendi planifikon që nga seanca e ardhshme të kthehet në sallën e zakonshme “Maqedonia” për seancat plenare. Megjithatë kryetari i këtij institucioni Talat Xhaferi tha se kjo varet edhe nga autoritetet shëndetësore. Me marrjen e vaksinave nga deputetët dhe shërbimet e Kuvendit dhe kalimin e periudhës dyjavore që nga doza e dytë, Xhaferi thotë se janë plotësuar parakushtet.
Para se të vendosim të kthehemi në sallën e rëndomtë, sallën 1, unë do t’i drejtohem Ministrisë së Shëndetësisë, Komisionit për Sëmundje Ngjitëse me kërkesë që të rishqyrtohen protokollet për qëndrim dhe punë në parlament dhe në suaza të sugjerimeve të tyre do të jetë edhe vendimi përfundimtar për atë nëse do të kthehemi ose jo në sallën 1 ose “Maqedonia” ku zakonisht kemi mbajtur seancat.”- deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Në takimin me gazetarët, kryetari i Kuvendit tha se seanca e radhës do të caktohet për më 8 qershor kurse dinamika e punës do të varet nga puna e komisioneve dhe nga propozimi për rishikimin e buxhetit të cilin kryeparlamentari ka informacion se qeveria do ta dorëzojë së shpejti.
I pyetur për procedurën parlamentare të ligjit për shtetësi, Xhaferi sqaroi se kanë skaduar afatet për dorëzimin e amendamenteve të reja, por nuk ka asnjë pengesë që të propozohen amendamente të komisionit që ligji të plotësohet sipas marrëveshjes palëve. Sipas tij, nuk ka pengesë që komisioni të vazhdojë punën rreth ligjit e cila ka ngecur prej kohësh, në rast se Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe LSDM-ja janë marrë vesh mes tyre.
I pari i ligjvënësit në këtë takim u pyet edhe për negociatat ndërpartiake për Kodin zgjedhor. Ai tha se informacione se takimi i fundit është mbajtur të mërkurën. Këto bisedime, për Xhaferin, janë angazhim politik dhe nuk e ndjen nevojën që partitë t’i raportojnë për ato bisedime.
Zakonisht do të duhej që të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve të bëhen ndryshimet në Kodin zgjedhor, nëse ka ndryshime sistematike, por kjo nuk e përjashton mundësinë që ata të zbatohen edhe në më pak kohë nëse ka konsensus. Afati kohor nuk është pengesë.”- tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Mendimin dhe votën e tij si deputet për ndryshimet eventuale në Kodin zgjedhor Xhaferi thotë se do ta japë kur të vijë koha. Në cilësinë e deputetit, ai mendon se modeli zgjedhor me një njësi nuk është i përshtatshëm për karakteristikat e votuesve në vend. Modeli me gjashtë njësi nuk është ideal por problemet që janë paraqitur deri tani me zgjedhjet nuk kanë rrjedhur nga modeli por nga sjellja e pjesëmarrësve në zgjedhje, shtoi Xhaferi.