Kuvendi filloi punimet për këtë vit kalendarik pas festave të fundvitit. Anëtarët e Këshillit Nacional për Integrim Evropian dhe ato të Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, mbajtën sesionet e para për këtë vit, përkatësisht Këshilli Nacional për Eurointegrime mbajti sesionin e tetë ku u prezantua programi dhe prioritetet e kryesimit suedez me Këshillin e BE-së, ndërsa Komisioni për Mbrojtje dhe Sigurim mbajti sesionin e 42-të, ku u shqyrtua propozim-vendimi për dërgimin e trupave të armatës në misionin ALTEA.
Koordinimi i rregullt i kryetarit të kuvendit, Talat Xhaferi me koordinatorët e grupeve parlamentare, i cili pritej të ndodh gjatë të hënës, siç duket, është lënë për më 10 janar. Në koordinim duhet të pajtohen aktivitetet e Kuvendit për javën në vijim, por edhe përtej.
Duhet theksuar gjatë vitit të shkuar opozita e kryesuar nga VMRO- DPMNE ka vepruar me bojkot aktiv të Kuvendit, ndërsa koordinatori i grupit parlamentar i VMRO-DPMNE-së, bojkotonte koordinimet me kryeparlamentarin Xhaferi. Nuk ka paralajmërime se opozita maqedonase do të ndryshojë qasjen edhe gjatë këtij viti.
Gjithsesi sfida kryesore e Kuvendit gjatë këtij viti do të jetë arritja e konsensusit politik për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të domosdoshme për vazhdimin e bisedimeve për aderim në BE.
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka deklaruar se ndryshimet kushtetuese janë me rëndësi të posaçme për vendin dhe se subjektet politike duhet të orientohen drejt arritjes së konsensusit politik dhe jo drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Për të martën, kryeparlamentari Xhaferi ka caktuar seancë të re, e 99 me radhë, me 16 pika të reja në rend dite.