Kuvendi i Kosovës ratifikoi pesë marrëveshje ndërkombëtare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë seancës së sotme, ratifikuan pesë marrëveshje ndërkombëtare financiare.

Marketing

Të gjitha marrëveshjet morën nga 84 vota, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Sipas Ministrisë së Financave, këto marrëveshje ndërkombëtare kapin vlerën prej 253 milionë eurosh, kurse disa nga to, do të ndihmojnë Kosovën në përballimin e situatës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Deputetët ratifikuan Marrëveshjen për financim ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar.

Është votuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Marrëveshja ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, po ashtu u ratifikua.

Mbështetjen e deputetëve e mori edhe Marrëveshja ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”, si dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Në tri nga seancat e kaluara, të mbajtura më 11 qershor, 23 qershor dhe 9 korrik, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për, prej 2/3 të deputetëve të pranishëm, për ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ndryshe, më 9 korrik, këto marrëveshje kanë qenë temë debati në Kuvendin e Kosovës, por kanë dështuar të ratifikohen, për shkak të mungesës së kuorumit.

Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, është e nevojshme mbështetja e 2/3 të deputetëve të kuvendit apo 80 vota.