Sot në Cetinje do të mbahet seanca e Kuvendit të Malit të Zi, në të cilën pritet të zgjidhet qeveria e re, e propozuar nga mandatari për kryeministër, Dritan Abazoviq.
Qeveria e re e Malit të Zi, siç është propozuar, pritet të ketë 18 dikastere, katër nënkryetarë dhe dy ministra pa portofol, përcjell klankosova.tv.
Thuhet se deputetët e Frontit Demokratik nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme, sepse e konsiderojnë qeverinë e propozuar jolegjitime, tha deputeti i kësaj aleance, Sllaven Radunoviq.
Sipas tij, deputetët e FD-së nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme për shkak të goditjes së fundit me gurë të autobusit në të cilin ndodheshin fëmijët nga Nikshiqi, vetëm pse kënduan dhe luajtën një xhiro para Manastirit të Cetinjes.
Parlamenti malazez po zgjedh një qeveri të re tre muaj pas një votimi mosbesimi ndaj kryeministrit në largim Zdravko Krivokapiq në fillim të shkurtit.