Kuvendi miraton formimin e Ushtrisë së Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës. Ndonëse emri i FSK-së nuk mund të pësojë ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohet se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.

Marketing

Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Seanca ka filluar me një minutë heshtje për të nderuar, siç u tha, “të gjitha ata që u vranë dhe sakrifikuan” duke dhënë kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës po përcillet me një atmosferë festive në Prishtinë. Sheshet e kryeqytetit janë mbushur me flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe shteteve tjera, të cilat Kosova i konsideron si vende që e kanë ndihmuar në vazhdimësi atë.

Në seancën e Kuvendit kanë marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj si dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama.
Ndërkohë që një atmosferë ndryshe mbizotëron në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me popullatë serbe, ku sheshet e Mitrovicës Veriore janë mbushur me flamuj të Serbisë.