Kuvendi nuk do të financojë ekspertët për vëzhgimin e ATO-së

Kuvendi nuk do të mund të sigurojë mjete financiare për angazhimin e dy ekspertëve të nevojshëm për Komsionin i cili monitoron punën e Agjencisë Teknike-Operative (ATO) për përgjimet. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi pohoi se ka pranuar letrën e kryetarit të Komisionit parlamentar Emil Dimitriev i cili kërkon sigurimin e financave për të paguar ekspertët por sqaron se ligji nuk parashikon asnjë dispozitë ku precizohet që Kuvendi duhet të sigurojë mjete për kompensimin e punës së ekspertëve. Ligji parashikon që pas formimit të Komisionit parlamentar për vëzhgimin e punës së ATO-së, Komisioni mund të angazhojë dy ekspertë të jashtëm. Ky organ duhet të sjellë Rregullore për punën e Komisionit dhe angazhimin e ekspertëve. Sipas Xhaferit, çështja e financimit të ekspertëve mund të rregullohet me Rregulloren e Komisionit.

Marketing

Kryeparlamentari Xhaferi vlerëson se pikërisht ky ishte edhe problemi me konkursin publik për anëtarët e Këshillit qytetar për të cilët po ashtu nuk ishte parashikuar çështja financiare për kompensimin e tyre. Zgjidhje mund të jetë rishikimi i ligjit për ATO-në në këto dispozita.

Kreu i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e punës së ATO-së Emil Dimitriev, një javë më parë, pas takimit me ekspertë të BE-së dhe KE, njoftoi se ka marrë mjaftë kritika. Ekspertët kanë kritikuar për vonesa në zgjedhjen e ekspertëve që do të jenë në ndihmë të komisionit dhe vonesat në formimin e Këshillit civil, i cili po ashtu do të monitorojë përgjimet dhe ATO-në.