Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nesër pritet të vazhdojë debatin për Ligjin për Prokurorinë Publike, por edhe për fatin e kryeprokurores së paraburgosur speciale, Katica Janeva. Këshilli i Prokurorëve javën e kaluar e shkarkoi nga detyra Janevën, por duke i dorëzuar raportin Kuvendit për vendimin final të shkarkimit.
Megjithatë ende ka dilema se ky ligj dhe shkarkimi i Janevës a do të ndodhë së shpejti, pasi që vendi pret datën për fillimin e negociatave me BE-në, përcjellë INA.
Nga LSDM thonë se nëse nuk arrihet marrëveshje atëherë Këshilli i prokurorëve publik sias ligjit duhet të emërojë u.d. prokuror special publik, ndërsa nuk është përjashtuar mundësia të mbahet ehde takim i liderëve.
Kryetari i Komisionit kuvendor për zgjedhje dhe emërime, Ilija Dimovski duhet të caktojë seancë në të cilën do të vendoset për shkarkimin e Janevës.
Dimovski dje deklaroi se sapo ta marrë raportin urgjentisht do të veprojë në drejtim të përshpejtimit të procedurës. Vendimi eventual i Kuvendit për shkarkimin e Janevës, sipas procedurës, sërish duhet të paraqitet para Këshillit të prokurorëve publik.