Kuvendi shkarkoi drejtorin e administratës

Kuvendi sot pasdite në seancën e 34-të ka miratuar Vendimin për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Administratë, Spase Gligorov dhe zëvendësit të tij, Agron Seferi. Është miratuar edhe vendimi për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë, Rasim Zuferi.

Marketing

Vendimeve u paraprinë nga diskutime të shkurtra.

Talat Xhaferi dhe Blerim Bexheti nga BDI kërkuan që pika për shkarkimin e Gligorovit dhe Seferit të hiqet nga rendi i ditës. Ata akuzuan se me këtë metodë shkarkimi, qeveria konfirmon se po partizon administratën.

Xhaferit dhe Bexhetit i është kundërpërgjigjur Malisha Stankoviq nga Partia Socialiste, duke thënë se nuk ka arsye më të madhe për shkarkimin e Gligorovit dhe Seferit sesa raporti i Entit Shtetëror të Revizionit, i cili ka konstatuar parregullsi në punën e Agjencisë për Administratë.

Foli edhe Vesna Bendevska. Ajo ishte e prerë se Gligorov dhe Seferi duhet të shkarkohen pasi siç theksoi ka keqpërdorur pozitën e tyre.

Kësaj i është përgjigjur Jovanka Trençevska nga LSDM-ja, e cila tha se gjithçka që ka thënë Bendevska është e pavërtetë.

Kuvendi në seancën e pasdites ka miratuar edhe Vendimin për shpalljen e shpalljes publike për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Ankesa të Prokurimit Publik.