Kuvendi sot zgjedh qeverinë e re në krye me Hristijan Mickoski

Sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re mund të zgjasë më së shumti dy ditë. Në fillim të seancës, mandatar i paraqet programin dhe propozimin për përbërjen e Qeverisë, pas çka zhvillohet një debat i vetëm në Kuvend. Votimi për zgjedhjen e Qeverisë bëhet publikisht dhe për të gjithë përbërjen e Qeverisë në tërësi, dhe duhet të mbahet më së voni deri në orën 24:00. Qeveria zgjidhet nëse për të votojnë shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Marketing

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka caktuar seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re për të shtunën në orën 11:00. Shumica parlamentare që pritet të mbështesë Qeverinë e re përbëhet nga 78 deputetë: 58 nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, 14 nga Vredi dhe gjashtë nga ZNAM.

Hristijan Mickoski ka propozuar përbërjen e re të Qeverisë, e cila do të ketë 24 anëtarë, përfshirë edhe kryeministrin. Nga këta, 15 janë nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, gjashtë nga koalicioni VLEN dhe dy nga ZNAM. Disa nga emërimet kryesore përfshijnë Pançee Toshkovskin për ministër të brendshëm, Timço Mucuskin për ministër të punëve të jashtme dhe tregtisë së jashtme, dhe Gordana Koçoska Dimitrievska për ministre të financave. Gjithashtu, Aleksandar Nikoloski është propozuar për zëvendës kryetar të Qeverisë dhe ministër të transportit, ndërsa Stefan Andonovski për ministër të shoqërisë informative dhe transformimit digjital.

Me zgjedhjen e përbërjes së re të Qeverisë në Kuvend, Hristijan Mickoski do të bëhet kryeministri i 13-të i Maqedonisë së Veriut dhe do të udhëheqë qeverinë e 20-të që nga pavarësia e shtetit.