Deputeti dhe lideri i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmet Zenka, ka përkrahur rrëzimin e Dritan Abazoviqit nga posti i kryeministrit.
Duke komentuar fjalimin e Abazoviqit dje në Kuvendin malazez që tha se po tentohet shkarkimi i tij për vetë faktin se është shqiptar, Zenka tha se Abazoviqit i ka rënë sot në mend se është i tillë.
“Nëse Abazoviqit sot i ka rënë në mend se është shqiptar, se deri dje ka thënë jam kozmopolit, nëse Abazoviqi, i cili ka shkuar në kishën serbe dhe para dy vjetësh ka bërë koalicion me partitë serbe, me ato parti të cilat një ditë pasi ka formuar qeverinë, kanë brohoritur “vdekje shqiptarëve, Kosova është shtet terrorist, në Kosovë nuk kanë ndodhur krime lufte, nuk kanë ndodhur gjenocid, përdhunime” dhe Abazoviqi e gjen vendin që të jetë me ta, atëherë unë nuk dua të jem shqiptar si Abazoviqi, por dua të jem shqiptar siç i ka hije një shqiptari të Malit të Zi”, ka thënë Zenka.
Zenka tha se tek pasi “iu dridh karrigia”, Abazoviqit i ka rënë ndër mend se është shqiptar dhe se dëshiron të justifikohet duke përdorur pretekstin shqiptar.