Nga institucionet e vendit të drejtuara nga shqiptarët, Komisioni për Letra me vlerë është institucioni i parë që zbatoi në tërësi dhe në kohë rekord ligjin për përdorimin e gjuhëve duke shkruar dokumentin e parë dygjuhësor, një ditë pas miratimit të ligjit në Kuvend, ndërsa vulat dygjuhësore pas tre dite. Siç mëson TS, e gjithë webfaqja, të gjitha mbishkrimet, çdo përmbajtje dhe çdo dokument në këtë institucion është edhe në gjuhën shqipe.
Këtë sot e konfirmoi edhe drejtori i Agjencisë për zbatimin e gjuhës, Ylber Sela, pas takimit me Kryetaren e KLV, Nora Aliti.
“Po e përmbyll këtë vit me një takim pune të suksesshëm që pata me kryetaren e Komisionit të Letrave me Vlerë, zonjën Nora Aliti. E veçoj këtë për arsye se zbatimi i dygjuhësisë në këtë institucion ishte i lakmueshëm dhe gjuha shqipe ishte plotësisht e barabartë me maqedonishten. Pa dyshim, ky rast duhet të shërbejë si shembull i mirë edhe për institucionet e tjera në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për funksionarët që i udhëheqin ato. Mbase kjo dëshmon se gjithçka është e mundur të bëhet realitet, nëse ka vullnet, dije dhe guxim. Le të shpresojmë se në vitin 2020 këtë detyrë shumë të rëndësishme do ta përmbushin edhe të tjerët!!!” theksoi Ylber Sela.