La Fazani me “Oj Kosovë” fitues në edicionin e parë të Festivalit të Këngës

Arbër Salihu, i njohur si La Fazani, ka fituar edicionin e parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës.

Marketing

“Keni qenë publiku më i mirë në botë. Faleminderit orkestrës. Ju dua shumë të gjithëve”, ka thënë La Fazani pasi interpretoi në fund si triumfues i edicionit të parë.

Çmimi është ndarë nga kryeministri Albin Kurti. “Kaq shumë energji e bukuri për më shumë se dy orë, përjetim i paharrueshëm dhe përvojë e veçantë besoj për secilin prej nesh që ishte këtu”, ka thënë Kurti para se t’i jepte çmimin La Fazanit.

Vendin e dytë e ka zënë “Angus Dei” me “Një zemër për dy”, ndërsa vendin e tretë Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”.

La Fazani ka marrë edhe Çmimin e Kryeqytetit. Në edicionin e parë u nda edhe Çmimi i Orkestrës, që u fitua nga Saranda Alija me “Mendoj ku je”.

Në finale u prezantuan 10 këngët e përzgjedhura nga 18 që u paraqitën në dy netët paraprake. Përzgjedhjen e tyre dhe të fituesve e bënë juria vlerësuese e përbërë nga këngëtarja Alma Bektashi, artistja Zake Prelvukaj, kantautori Alban Nimani, kompozitori Adi Hila dhe këngëtarja suedeze, Ulja Sjostrom.

Festivali zhvilloi edicionin e parë ani pse fituesi nuk do të ketë për adresë skenën e garës evropiane të muzikës “Eurovision” që organizohet nga Unioni i Transmetuesve Evropian.