La Stampa: Shqipëria e ndarë mes protestave dhe votimeve

E përditshmja italiane “La Stampa” i ka dedikuar një shkrim të gjatë situatës politike në Shqipëri ku njëra palë ku do të kryejë procesimin e votimit dhe pala tjetër vijon protestat.

Marketing

Shkrimi i plotë i “La Stampa”:

Nesër zhvillohen zgjedhjet lokale të kërkuara nga kryeministri dhe të anuluara nga Presidenti. Në shesh nisin protestat. Shqiptarët të ndarë mes votave dhe protestës: “Duam të ikim, por Italia është njëlloj si ne”.

Pallatet e stilit fashist të kryeministrisë dhe kreut të shteti janë përballë njeri-tjetrit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një nga arteriet kryesore të Tiranës. Pak qindra metra i ndajnë, por dy drejtuesit nuk flasin më. Në një vend të paralizuar, kryeministri dhe presidenti i drejtohen vendit me postime në Facebook ose me anë të mediave. Është një sfidë totale me goditje dekretesh të kryqëzuar për të vendosur datën e zgjedhjeve.

Presidenti i Republikës kundër qeverisë, Ilir Meta versus Edi Rama, aleatë antikë, sot armiq në emër të Kushtetutës. Nesër Shqipëria do të shkojë në votime për të zgjedhur kryebashkiakët e 61 bashkive, por bëhet fjalë për “zgjedhje ilegale”, “zgjedhje socialiste”, thotë Presidenti Meta. Pas dy javësh protesta, opozita e PD (Partia Demokratike, qendra e djathtë) bojkotoi procesin. Në fletën e votimit, ku dikur ishin të gjitha partitë e forta, nesër do të jetë vetëm emri i asaj të Kryeministrit. Dhe parashikohen përplasje në shesh.

Votimet e nesërme janë të pavlefshme nga pozicioni më i lartë i shtetit (Presidenti), i cili kërkon që zgjedhjet të mbahen në tetor. Por kryeministri Rama i bie shkurt dhe kërkon të mbajë zgjedhje. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë pezulluar nga funksionet e tyre.

Situata është shumë e tensionuar, që nga muaji shkurt shpërtheu mobilizimi thuajse permanent kundër Ramës; manifestuesit e akuzojnë (Ramën) për korrupsion dhe e për shkatërrim të shtetit të së drejtës, e gjitha në një situatë ekonomike të vështirë.

Në vigjilje të ditës më të nxehtë të vendit, i cili nga viti 2014 është kandidat për të hyrë në Europë, në sheshin “Skënderbej” valëvitet flamuri i kuq me shqiponjën e zezë me dy kokë dhe 18-vjeçari Alex Bardhashi shpreh qëndrimin e tij: “Ndoshta për herë të parë njerëzit do të nisin të bëjnë revolucion”. Ai nuk do të shkojë të votojë. Ëndërron vetëm të largohet jashtë vendit për të bërë avokatin. Sigurisht jo në vendin tonë (Itali). “Italia është si ne. Është mirë për të eksportuar drogë, -thotë-. Dëshira e shumë adoleshentëve këtu është të kenë një skaf dhe të bëjnë para me këtë biznes, drejt brigjeve italiane. Por nëse ikin të gjithë, çfarë do fundi do të ketë Shqipëria?”

Ndërsa ai flet, socialisti Edi Rama mbyll fushatën elektorale në Vlorë. “Nuk mund të ndalojnë rrugën europiane të vendit,- thotë ai,- ndëshkimi do të jetë ekzemplar për atë që nuk lejojnë votimet”. Që nga shkurti protestat në shesh i kërkojnë dorëheqjen. Akuzohet për manipulime elektorale dhe lidhje me krimin e organizuar, pas publikimit të një investigimi në gazetën gjermane “Bild”. SHBA janë në anën e tij, zëvendëssekretari i shtetit, Matteë Palmer, duke komentuar kërcënimet e opozitës së qendrës së djathtë të drejtuar nga Lulzim Basha për bojkotin e zgjedhjeve, paralajmëroi këdo që provon të shpërthejë dhunë në vend.

Çështja e Shqipërisë shqetëson edhe Italinë, zëvendëskryeministri Matteo Salvini kërkon një negociata mes Ramës dhe kreut të shtetit Meta, i cili ka ftuar palët për qetësi dhe në të njëjtën kohë kujton fantazmat e së kaluarës, me një video në rrjetet sociale të vitit 1982, që riprodhon imazhet e diktatorit Enver Hoxha. Është njëlloj si të thuash; këto të Edi Ramës nuk janë zgjedhje demokratike.

Atë që do të ndodhë sot dhe nesër nuk e di askush. Kryebashkiaktë e bashkive të drejtuara nga opozita kanë deklaruar se nuk do të lejojnë hapjen e votimeve. Komuniteti ndërkombëtar dënon dhunën e ditëve të fundit, si ajo e së enjtes, kur një ndërtesë ku ruheshin votat në Shkodër, në Veri, u dogj dhe tre policë mbetën të plagosur. “Prindërit e mi nuk do të shkojnë të votojnë dhe as unë,- thotë Neka Xhaferri, 19 vjeç -, është e rrezikshme”. Ashtu si ajo, e zhgënjyer nga politika është 71% e të rinjve të Shqipërisë, të cilët sipas një sondazhi të muajit dhjetor të Gallup duan të emigrojnë. Por nuk është me Italia ndalesa për një jetë më të mirë. “Unë do të doja të punoja në Gjermani”, shpjegon Nina Nuhu, e cila punon në një call center në Tiranë për një operator italian.

Nëse në vitet ’90 vendi ynë (Italia) ishte një mirazh i adhurueshëm, sot të rinjtë duan Europën Veriore. Ndryshe nga prindërit e tyre, të rritur me bukë dhe programet e televizioneve italiane, sot të rinjtë italisht nuk dinë as edhe një fjalë.

Ekonomia shqiptare rritet me 3,8%. Investitorët, mes të cilëve biznese italiane gëlojnë dhe biznesi rritet. E megjithatë, shpjegon Lorella Kuka, shitëse e produkteve kozmetike, nëse nuk ke rekomandimet e duhura dhe me këtë nënkupton paratë, nuk punon. Ndërkohë, Tirana shpreson gjatë verës te turizmi. Gjithmonë nëse situata e përplasjeve politiko-institucionale nuk degjeneron./Opinion.al/