Lacio e Strakoshës fiton Kupën e Italisë, thyen në finale Atalantën e Gjimshitit

Lacialët fituan 2-0 ndaj bergamaskëve, duke mundësuar fitimin e trofeut të dytë më të rëndësishëm në futbollin italian. Sukses edhe për Igli Taren

Marketing

Lacio fitoi mbrëmë Kupën e Italisë, pasi mundi në final skuadrën e Atalantës, me rezultatin 2-0. Një sukses i rëndësishëm për lacialët që sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Europës pavarësisht pozicionit në renditjen e Serisë A italiane kiu ata zhgënjyen këtë edicion pasi humbën duelet direkte me skuadrat e 5 vendeve të para. Mbrëmë ishte radha e tyre të tregonin veten dhe lacialët e treguan vlerën e tyre tekniko-taktike në një duel vendimtar për trofeun dhe ia dolën. Në këtë ndeshje përballeshin lojtarët shqiptarë të Kombëtares kuqezi, ku Thomas Strakosha luante për Lacion, kurse Berat Gjimshiti e Etrit Berisha luanin për Atalantën. Në fakt, Berisha ishte në stol në këtë takim, kurse titullarë në fushë zbritën Strakosha dhe Gjimshiti. Pjesa e parë e ndeshjes ishte e bukur, me rivalitet, por edhe e ashpër. Në këtë pjesë loje të dyja skuadrat u përpoqën të ruanin epërsinë në mesfushë dhe duke u kujdesur të vinin diktatin në këtë repart, nuk guxuan të krijonin rrezikshmëri në lojën ofensive, pavarësisht rasteve të paraqitura. Për pasojë fraksioni i parë i lojës u mbyll me rrjeta të paprekura 0-0. Ishte një pjesë loje ku dominoi Atalanta e Gjimshitit, i cili bëri një performancë të mirë, ndërkohë që bergamaskët dominuan me gjuajtje në portë falë kundërsulmeve të rrufeshme të tyre. Gjithsesi, eksperienca e Lacios në duele të tilla finale i dha efektet e saj në pjesën e dytë, ku bardhekaltrit shfaqën më shumë cilësi në aspektin sulmues dhe ia dolën të vinin nën presion mbrojtjen e Atalantës dhe portierin Golini (i cili i ka zënë vendin Berishës prej disa javësh). Dhe Lacio jo vetëm e balancoi lojën sa u takon rasteve të krijuara dhe goditjeve në kuadrat, por bëri të pamundurën për ta fituar ndeshjen dhe në minutat e fundit ia doli me sukses të bëjë diferencën, falë shpirtit të grupit dhe saktësisë në veprime.

Portieri Thomas Strakosha ishte i pakalueshëm dhe pavarësisht se vinte nga një dëmtim në “tendinin e Akilit”, siguroi profil të lartë mbrojtjeje në repartin difensiv, duke i dhënë garanci ekipit të tij në prapavijë. Diferencën do ta bënte goli i Milinkoviç-Saviç në minutën e 82-të, i cili shfrytëzoi mjaft mirë një asist të Lukas Leiva. Atalanta kupton se nuk ka shumë kohë në dispozicion dhe hidhet e gjitha në sulm për të gjetur golin e barazimit. Dhe krijon epërsi të dukshme, duke pasur rastet e saj. Por Lacio mbrohet me forca të shumta, duke qenë se koha ishte e limituar. Atëherë kur pritej një reflektim i Atalantës ndodh e kundërta. Lacio gjene në minutën e fundit të ndeshjes golin e sigurisë, me anë të Korreas, i cili dyfishoi shifrat për lacialët dhe praktikisht i dha fitoren Lacios. Në fund nuk ka më kohë për asgjë dhe epërsia psikologjike e skuadrës së Strakoshës bëri që të mbyllen pa probleme minutat shtesë e për pasojë gardiani kuqezi të festojë fitoren dhe të ngrejë lart trofeun e Kupës së Italisë, duke fituar kështu edhe duelin derbi me mbrojtësin kuqezi, Berat Gjimshiti. Një mbrëmje e madhe për Lacion e Strakoshës dhe Igli Tares, që njohin një fund sezonal të suksesshëm, sepse kanë fituar një trofe, i dyti më i rëndësishëm pas “Scudetos”, të cilin e fitoi Juventusi matematikisht, 5 javë para fundit të kampionatit në Serinë A.

Marketing