Avokati i njërit nga të akuzuarit në rastin “Lagjja e Trimave”, Ljupço Veselinovski e cilëson si veprim selektiv të gjykatës, faktin që në pikë të parë janë vendosur ngjarjet e 27 prillit, ndërkaq lënda për Lagjen e Trimave është lënë pas dore.
Veselinovski thekson se tashmë 14 muaj kjo lëndë po qëndron në Gjykatën Themelore Shkupi 1, edhe pse ankesat janë dorëzuar në kohë. Ai thotë se ky veprim i Gjykatës ka shkaktuar revoltë dhe pakënaqësi tek familjarët e të akuzuarve dhe vetë të akuzuarit e Lagjes së Trimave. Ndërkohë pret që këto ditë Gjykata e Apelit të caktojë seancë publike ku sipas tij, do të dëshmohej drejtësia.
“Në momentet kur para 10 ditëve të burgosurit për shkak të ligjit për amnisti filluan që të mbajnë grevë urie, klienti im dhe kolegët e tij dhe të akuzuarit e tjerë në rastin Lagjja e Trimave më kanë informuar se nuk mbajnë grevë urie për ndonjë amnisti, por që lënda sa më shpejtë të zgjidhet në Gjykatën e Apelit, pas ankesave tona. Kjo akoma rri në vend, presim që këto ditë Gjykata e Apelit, më në fund të veprojë dhe të caktojë seancë publike dhe aty ta dëshmojmë drejtësinë”, deklaroi Lupço Veselinovski, avokat i Fadil Fejzullahit.
Ai theksoi se duke marrë parasysh parimet që vlejnë në ligjin për procedurat penale, edhe për ngjarjet e 27 prillit por edhe ato të Lagjes së Trimave, duhet të veprohet në mënyrë të barabartë në sistemin e drejtësisë, pasi siç theksoi ai, që të dyja lëndët, bien në grupin e veprës penale ‘terrorizëm’
“Dua të theksoj edhe një tjetër moment në korrniza të asaj pakënaqësie. Ngjarjet e 27 prillit bien në grupin e veprës penale ‘terrorizëm’, ngjarjet e Lagjes së Trimave, poashtu bien në grupin e veprës penale “terrorizëm”.
Duke pasur parasysh parimet që vlejnë në ligjin për procedurat penale, mendimi im është që për të dyja ngjarjet duhet të veprohet në mënyrë të barabartë në sistemin e drejtësisë së RM-së. Pritja e gjatë e lëndës në Gjykatën Themelore Shkupi 1, ndoshta është e natyrës teknike, megjithatë nuk mund të lejohet që pas vendimit të shkallës së parë, 14 muaj të mbetet në paraburgim, pa vendosur Gjykata e Apelit”, deklaroi Lupço Veselinovski, avokat i Fadil Fejzullahit.
Veselinovski theksoi se në lëndën “Lagjja e Trimave ”janë bërë shumë lëshime të natyrës formale dhe faktike, për këtë arsye ai pret që Gjykata e Apelit vendimin për këtë lëndë ta shfuqizojë dhe ta kthejë në rigjykim.