Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në një fazë të intensifikimit të përpjekjeve të shteteve ndërmjetësuese në favor të synimit për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme.
Më 9 shtator në Kosovë do të arrijnë Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak së bashku me Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, dy këshilltarët e emëruar nga Gjermania dhe Franca për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
“Tani për tani mund të konfirmoj vizitën e Miroslav Lajçak më 9 shtator, së bashku me këshilltarët e politikës së jashtme të Presidentit francez dhe kancelarisë gjermane”,tha Stano.
Ai theksoi se të njëjtit do të vizitojnë Prishtinën, por edhe Beogradin.
“Ata së bashku do të vizitojnë Beogradin dhe Prishtinën si dhe do të zhvillojnë takime të ndara me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti.”, shtoi Stano.
Sipas tij, qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të diskutohet se si të çohet përpara dialogu Kosovë-Serbi.
Pavarësisht kësaj vizite mjaft të rëndësishme të premtën, nga Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë detaje lidhur me takimin e radhës në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Duke mos dhënë ndonjë datë të mundshme për takimin dy palësh apo marrëveshjet e radhës të cilat mund të diskutohen në kuadër të dialogut, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano theksoi se lidhur me takimet e radhës të dhënat publikohen në kohë.
“Ne publikojmë çdo takim të ardhshëm të dialogut në bazë të rastit”,tha ai.
Por se sa do të jetë ky vit “fatlum” sa i përket arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse, apo marrëveshjes finale në mes dy vendeve kjo nuk dihet ende.
Madje nga Bashkimi Evropian kanë dërguar një mesazh për të dyja palët e përfshira në dialog, se arritja e marrëveshje finale varet plotësisht dhe vetëm nga aftësia e të dyja palëve.
“Se kur do të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, varet plotësisht dhe vetëm nga aftësia e të dyja palëve për të rënë dakord për të.”, deklaroi Stano.
Ndryshe pikërisht në kuadër të këtij dialogu, javë më parë Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar zbatimin e marrëveshjes për dokumentet hyrje-dalje.
Kësisoj të gjithë qytetarët e Kosovës tanimë mund të hynë në Serbi vetëm me letërnjoftim, pa pasur nevojë që të marrin një dokument shtesë në kufi, e njësoj është procedura edhe për serbët të cilët duan të hynë në Kosovë.
Kjo marrëveshje ka filluar së zbatuari nga data 1 shtator ndërsa është parë si vendim që ka lehtësuar qarkullimin e qytetarëve në pikat kufitare të vendit.
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të ndryshojnë targat e automjeteve të tyre nga “KM, GL, PR” e të tjera në RKS.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi ditë më parë se që nga 31 tetori, të gjitha veturat me targa ilegale të Serbisë nuk do të mund të qarkullojnë më në Kosovë.
Sa i përket vizitës së Lajçak, së bashku me dy këshilltarët e jashtëm të Gjermanisë e Francës, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emanuel Macron ditë më parë kanë dërguar një letër tek kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
Në këtë letër të përbashkët të Scholz e Macron që ka përmbajtje identike për të dy, Kurtin e Vuçiq kërkohet nga këta dy të fundit angazhim për gjetjen e një zgjidhje për mosmarrëveshjet e kahmotshme bilaterale e rajonale.
Gjithashtu, kjo letër thuhet se adresohet në një kohë vendimtare për sigurinë në kontinentin Evropian dhe për stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, shkruan lajmi.net.
“Po ua adresojmë këtë letër në një kohë vendimtare për sigurinë në kontinentin Evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të bindur që në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës na duhet të bëjmë përpjekje edhe më të fuqishme që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet e kamotshme bilaterale dhe rajonale.”, thuhet në këtë letër.
Më tutje, Scholz e Macron thonë se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale për Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu nënvizojnë thirrjen ndaj dy liderëve për gatishmëri maksimale për vendime të vështira.
Këto vendime të vështira sipas kësaj letre shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
“Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale. Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë.”, thuhet në këtë letër.
Gjithashtu, Scholz e Macron thonë në letër se tensionet kanë treguar se hapat konstruktivë janë urgjentisht të nevojshëm në rrugën përpara dhe këtu njoftojnë për angazhimin e dy emisarëve të veçantë nga dy shtetet që do ta mbështesin emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij.
“Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik. Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajčak në përpjekjet e tij.“, thuhet në këtë letër.
Në fund, ata kanë propozuar që dy këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi për t’i hulumtuar opsionet për ecje përpara.
“Propozimi ynë është, që Këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajčak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt. Shpresojmë shumë që kjo iniciativë do të ketë interesin dhe përkrahjen tuaj.”, thuhet në këtë letër.
Mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i vizitës së Lajçak së bashku me dy këshilltarët e rinj të emëruar për të ndihmuar Emisarin Special të Bashkimit Evropian.