Lajm i keq për Vedat Muriqin

Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit ia ka prishur krejt planet Mallorcës. Sulmuesi ishte lënduar në përballjen e muajit të kaluar të “Dardanëve” ndaj izraelitëve në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Marketing

Tash, mediumi spanjoll “okdiario” raporton se klubi i La Ligas nuk pret që futbollisti prizrenas të rikthehet para vitit 2024.

Fillimisht pritej që Muriqi do të ishte në dispozicion për ndeshjen e kësaj jave ndaj Almerias, por tërheqja muskulore i doli “dardhë me bisht”.

Lojtari do të mungojë sigurisht edhe në ndeshjen e fundit të vitit kundër Osasunas në Palma pasi lojtari kosovar nuk i është bashkuar ende ekipit në ushtrime.

Pra, Mallorca do ta presë ish-futbollistin e Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios që nga fillimi i vitit të ri.

Më saktësisht, Muriqi mund të rikthehet në lojën e parë të vitit 2024 në “Santiago Bernabeu” kundër real Madridit, e paraparë të zhvillohet më 3 janar.

Deri tash, 29 vjeçari i ka humbur ndeshjet ndaj Atlético Madrid, Cádiz, Alavés e Sevillas.

Gjithashtu, nuk ishte as në lojën e Copa del Rey kundër Valle de Egüés, e s’do të jetë as ndaj Almerias dhe Osasunës.

Mallorca po e vuan mungesën e lojtarit kryesor, i cili ka qenë vendimtar në sezonet e fundit, e që trajneri Javier Aguirre s’mund të llogarisë në të në total prej shtatë ndeshjesh.