Është ndarë nga jeta arbitri i ri i futbollit kosovar, Rilind Berisha. Ai vlerësohej me potencial të madh dhe ka drejtuar ndeshje në nivele të ndryshme.
Federata e Futbollit e Kosovës dhe klube të shumta të futbollit kosovar kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Rilind Berishës.
I ndjeri ishte edhe futbollist.
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Rilind Berisha, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Ikja e hershme nga kjo botë e një personaliteti të përkushtuar ndaj futbollit, siç ishte Rilindi, ka trishtuar të gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë. Ju si familje duhet të gjeni forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe dhe ta kujtoni atë përherë me krenari.
Rilindi ishte një futbollist i përkushtuar, por edhe një gjyqtar premtues, i cili dha kontribut të çmuar në ndarjen e drejtësisë në Ligën e Dytë”, shkruan në telegramin e ngushëllimit të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi.