Nuk ka asnjë mundësi që Matthijs de Ligt të veshë fanellën e Juventus. Të paktën, sipas mendimit të Jari Litmanen, ish-futbollist finlandez, i cili ka luajtur për një kohë të gjatë me Ajax, klubi aktual i talentit holandez.
De Ligt është përfolur disa herë për një transferim të mundshëm te bardhezinjtë, por Litmanen, në një intervistë të dhënë për një portal të vendit të tij, “Yle”, është shprehur i sigurt se e ardhmja e 19-vjeçarit do të jetë diku tjetër.
“Matthijs është perla e Ajax. Është 19 vjeç, por është që tani kapiten. Kur ishte 16 vjeç ishte një nga më të mirët në botë mes lojtarëve të moshave. Ka gjithçka për t’u bërë një lojtar i madh, por nuk nxiton”, ka thënë Litmanen.
“Kur të largohet nga Holanda, nuk do të përfundojë te një klub i vogël. Besoj se do të shkojë direkt te Real Madrid për të zëvendësuar Sergio Ramos, ose te Barcelona në vend të Pique. Është i pjekur dhe shumë i talentuar”, ka përfunduar Litmanen.