Gonzalo Higuain do të largohet nga Juventus pas ardhjes së Cristiano Ronaldos.
Me zyrtarizimin e Cristiano Ronaldos, tashmë drejtuesit e Juventusit do të duhet të mendojnë për të rikuperuar një pjesë të shifrave të paguara për kartonin e portugezit.
Emri më i mundshëm që duket se do të largohet për të sjellë para në arkat e klubit nga Torino, është ai i sulmuesit argjentinas, Gonzalo Higuain.
I ardhur nga Napoli për shumën e 95 milionë eurove, Higuain nuk ka bindur asnjëherë plotësisht në Torino, jo vetëm për numrin e golave të shënuar, por veçanërisht sepse nuk ka bërë asnjëherë diferencën në ndeshjet e rëndësishme.
Për sulmuesin pritet të futet në lojë Chelsea, por vetëm pasi të zyrtarizohet Maurizio Sarri, trajner me të cilin Higuain ka kaluar ndoshta periudhën më të artë të karrierës së tij.
Drejtuesit e Juventusit nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga numri 9 i tyre, për më pak se 55 milionë euro, por natyrisht që kjo shifër vështirë se do të ofrohej nga londinezët.
Gjithsesi bëhet fjalë për një negociatë që mund të zgjasë shumë në kohë dhe mund të përfundojë vetëm në orët e fundit të merkatos.