LAMTUMIRË XHEVAT

Ismet Sylejmani

Marketing

I dashur dhe i nderuar Shoku im, Heroi i Kombit Xhevat Qerimi!

Sot je ardhur në varrezat e Dëshmorëve dhe Heronjëve të Kombit në Gjilan, Ti njëri prej djemëve më besnik e më të shquar!

Aty do të pushosh në dekada si njëri prej luftëtarëve më të madhenj të popullit shqiptar!

Bashkëveprimtari e Shoku im Xhevat Qerimi, po i shtohet radhëve e rreshtit të të pavdekurve të perjetshëm, të shekujve e mijëvjeqarëve të Atdheut tonë e të njerëzimit!

Shqiptari zemër zjarr, shqiptari sy shqiponjë, Heroi i Kosovës martire, ishte dhe do të jetë përgjithmonë gjerdan nderi e respekti në ballin dhe në gjoksin e lavdishem të Atdheut!

Xhevat Qerimi, Heroi i Pavarësisë së Kosovës, sot përfundimisht edhe fizikisht me eshtrat e Tij të shenjta e të shtrenjta, po bëhet i pranishëm e afër të pavdekshmëve të mëdhenj, afër idolit të Tij, çelikut të qëndresës, të pamposhturit e të pathyeshmit Heroit të Kombit Rexhep Malaj, afër emblemës së bashkimit të shqiptarëve, Heroit të Kombit Kadri Zeka e afër besnikut te famshëm, Heroit të Kombit Nuhi Berisha!

Xhevat Qerimi, po rivarroset e po mbulohet me dheun e Atdheut, sepse këtë dhe të Atdheut, Ai e ka dashur shumë, për Të ka qenë i gatshëm të shkrihet e të digjet në çdo çast, ka qenë i gatshëm të vdes e të burgoset nga kushdo e me kë do që ka cenuar interesin dhe tërësinë e vendit!

Xhevat Qerimi, është organizuar, ka vepruar ilegalisht dhe është përgaditur ushtarakisht për të drejtuar luftën e popullit shqiptar, për të komanduar me njësitë e armatosura çlirimtare për largimin definitiv të Serbisë pushtuese nga Kosova dhe viset e saja nën ish-Jugosllavi!

Në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan, në panteonin gjigant, madhështorë e të lavdishëm, do të jetë vendëprehja e përbotshme e Kryetarit të Këshillit të parë të Rrethit të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës pa adresë të Gjilanit, Vitisë e Kamenicës!

Heroi Xhevat Qerimi, Gjilanin e kishte kryeqytetin e Tij të parë të pozitave të mëdha e të larta udhëheqëse e drejtuese, më vonë vazhdoi në Prishtinë dhe në vitin 1991 përfundoi në Kryeqytetin shqiptar në Tiranë, ku bashkë me shokun e Tij të armëve Heroin e Kombit, komandantin e UÇK-së Zahir Pajazitin e shumë të tjerë i kryen me sukses ushtrimet ushtarake, ku u përgaditën për të drejtuar me armë në duar luftën titanike e finale, për të hequr qafe zgjedhën pushtuese serbe njëherë e përgjithmonë e për të bërë realitet ëndrrat e mijëra, qindra dhe miliona shqiptarëve, brenda e jashtë Atdheut!

Nga rruga e Tij lavdimadhe dhe liridashëse Heroin Xhevt Qerimi, me 10 Janar 1993 e ndau vdekja, e cili padrejtësisht e morri nga jeta, nga fëmijët e bashkëshortja, nga prindërit, nga motrat dhe vëllezërit e nga familja e Tij, por edhe e ndali hapin e Tij të madh dhe tepër të vendosur për të ecur me çdo çmim në rrugën e liridashëse për çlrimin e popullit dhe Atdheut!

Nga 10 Janari i vitit 1993 e deri në 10 Janarin e vitit 2020, mbushen 27 vite që kur ka pushuar së rrahuri zemra e Xhevatit të çelikt, i cili model të veprimit të Tij ilegal, politiko-patriotik e kishte titanikun e çelikun e qendresës Heroin e Kombit Rexhep Malaj, afër të cilit tani e tutje me disa metra larg njeri tjetrit do ta ndajnë me varret e tyre të shenjta tokën e Atdheut!
I dashur shoku e bashkeveprimtari im, Heroi i Pavarësisë së Kosovës Xhevat Qerimi, sot do të fillosh jetë të re të pavdekësisë Tënde, do të jeshë përkrahë komandantëve që i ke admiruar me shpirt e zemër dhe ushtarëve e luftëtarëve të UÇK-së, sepse bashk me Komandant Zahir Pajazitin sikur të kishe qenë i gjallë, do të ishe në frontet e para dhe pa as më të voglin dyshim se do të kishe zhvilluar luftën dhëmb për dhëmb me policët, ushtarët, paramilitarët e kriminelët serb!

Të drejtohem nga larg me fjalët e fundit, ashtu sikur edhe para 27 viteve kur u ndava i fundit nga shoket te varri Yt, në Pozheran!

Lamtumirë Heroi Ynë i madh!

Lamtumirë udhëheqësi, luftëtari e komandanti i parë i gjeneratës së re, pas Kadri Zekës e Rexhep Malës, Nuhi Berishës e Zija Shemsiut, Nazmi Hoxhës, Hydajet Hysenit, Bejtullah Tahirit e shumë të tjerëve!…

Lamtumirë Xhevati ynë i dashur e i shtrenjtë!

Lamtumirë organizatori e demonstruesi i madh i Gjilanit, Prishtinës dhe i gjithë Kosovës!

Lamtumirë Babi i Qendresës dhe i Jetmirës!

Kosova jonë e dashur dhe e shtrenjtë me luftën e UÇK-së, me gjakun e derdhur për liri dhe me ndihmën e pakursyer e të madhe të Nanës Shqipëri dhe të aletatit tonë të madh SHBA, është e lirë dhe e pavarur!

Pusho i qetë, Atdheu ynë për të cilin thurrnim projekte e plane për çlirim, bashkim e prosperitet është në rrugën e duhur, është në rrugën e ëndrrave tona që do të realizohen nga shqiptarët e ardhshëm!

Lamtumirë Shoku im!

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë e të pavarur!

Lavdi e përjetshme Ty dhe gjithë Dëshmorëve e Heronjëve të Kombit!

Prishtinë, 10 Janar 2020!