Largimet nga puna në Higjienën Komunale,Mazneva: S’kemi nevojë për ta, mungonin në punë

 Edhe pse përmes rrjeteve sociale ka ankesa për largimin e 113 të punësuarve me kontrata tre-mujore nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” – Shkup, drejtoresha e re e kësaj ndërmarrje, Kosana Mazneva, thotë se kontratat nuk u janë vazhduar vetëm rreth 80 personave, për arsye se ata jo vetëm që nuk kanë shkuar rregullisht në punë, por madje tha se ndërmarrja nuk ka nevojë për ta.
“Një grup i caktuar i personave të angazhuar nga Agjencia për Punësime të Përkohshme, nuk do të jenë më të angazhuar. Ndërmarrja nuk ka nevojë për angazhimin e tyre, sepse në bazë të analizave po gjenerojnë harxhime plotësuese për Ndërmarrjen. Nuk është e vërtetë se bëhet fjalë për 113 persona, por se sa është numri i tyre në mënyrë plotësuese do t’iu informoj. Një numër i madh i këtyre personave nuk kanë qenë rregullisht të pranishëm në vendet e tyre të punës dhe kjo është vërtetuar në bazë të sistemit elektronik dhe atij të sigurisë. Këta persona kanë udhëheqësit e tyre dhe të njëjtit më kanë referuar se Ndërmarrja nuk ka nevojë për angazhimin e tyre.”,- deklaroi drejtoresha e N. P. “Higjiena Komunale”- Shkup, Kosana Mazneva.
Sipas Maznevës, në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” në Shkup,  me kontrata të përhershme të punës ka 1118 të punësuar dhe 287 persona janë të angazhuar përmes Agjencisë për Punësime të Përkohshme. Tanimë kontrata është ndërprerë për 80 prej tyre. U ankua se këta 287 persona i kushtojnë Ndërmarrjes plot 11 milion denarë. Por, Mazneva nuk fajësoi udhëheqësinë e kaluar të Ndërmarrjes për angazhim të panevojshëm të personave, por potencoi se në atë kohë drejtori i mëparshëm ka konstatuar se personat e tillë kanë qenë të nevojshëm për ndërmarrjen, e në këto momente është konstatuar se nuk kanë  më nevojë për ta.