Lata: Gjeni sa më shumë miq në Amerikë, ashtu do të ndihmoni trojet shqiptare

Veprimtari i njohur nga SHBA, Haxhi Dauti – Kryetar i Këshillit Shqiptar Amerikan, dje vizitoi Komunën e Dibrës ku u pritë nga Kryetari i komunës Ruzhdi Lata, me bashkëpunëtorët e tij.

Marketing

Qëllimi i këtij takimi ishte bashkëpunimi i veprimtarit Haxhi Dauti – Këshillit Shqiptar Amerikan me Komunën e Dibrës, në kuadër të lidhjeve të tij shumë vjeçare me Shoqatën Atdhetare Dibra në SHBA.

Mbasi e falënderoi për pritjen, të parin e Dibrës, Kryetari i Këshillit Shqiptar Amerikan, një organizatë e vogël lobiste, që bën një punë të madhe në SHBA, për më shumë se tridhjetë vjet, e informoi kryetarin Lata me qëllimin e kësaj vizite në Kosovë, Shqipëri dhe trojet shqiptare në Maqedoni.

Ai foli po ashtu edhe për aktivitetin dhe lobimin e çështjes shqiptare nga shqiptarët e Amerikës, duke përmendur edhe lobin e parë dhe të vetëm atje Lidhjen Qytetare Shqiptaro Amerikane me në krye ish kongresitin Xhozef DioGuardi dhe bashkëshorten e tij Këshilltaren e Çështjeve Ballkanike Shirli Kloyes Dioguardi dhe disa nga veprimtaret e dalluar të çështjes shqiptare në SHBA.

Kryetari pasi e falënderoi për vizitën në Dibër, zotin Dauti, u shpreh se kontributi i shqiptarëve të Amerikës, është një aset historik i shqiptarëve kudo në bote.

’Është kënaqësi e veçantë të takohesh me bashkëkombësit tanë, të cilët kanë shkuar në Amerikë, për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten e tyre, por nuk kanë harruar asnjëherë nga kanë vajtur dhe kush janë. Çdo ditë të jetës dhe punës së shqiptarëve në Amerikë, është dëshmuar se çfarë do të thotë të jesh shqiptar dhe ta duash vendlindjen tënde. Ju keni bërë që miqësia shqiptaro-amerikane të thellohet dhe keni qenë faktor i rëndësishëm që çështja shqiptarë të jetë në agjendën amerikane.

Ju keni mbajtur gjallë ëndrrën e shqiptareve për liri edhe atëherë kur ajo dhunohej nga vetë ne shqiptarët nën sundimin e gjatë sllavo-komunist. Ju keni mbajtur të gjallë ëndrrën për liri edhe atëherë kur ajo na mohohej nga të tjerët, por ishit ju ata që e ngritët zërin për liri e të drejtat e shqiptarëve kudo në Shqipëri Kosovë e trojet shqiptare.’’

Kryetari i Dibrës, e falënderoi zotin Dauti – për ndihmuat që dërgojë ai dhe organizatat e tij në Shqipëri njëzetepesë vjet më parë me ndërmjetësimin e disa zyrtarëve të lart të Departamentit të Shtetit, miqve të tij, në Uashington, për mijëra familje, në Shqipërinë pas rrëzimit të komunizmit, kur ato kishin më së shumti nevojë, për veshmbathje e të tjera.

“ Kontributi i shqiptarëve të Amerikës, në këtë kontekst është i veçantë, i pazëvendësueshëm dhe që meriton mirënjohjen jo vetëm të dy shteteve tona, Shqipërisë e Kosovës, por edhe të ne udhëheqësve të bashkësive shqiptare. Mbasi nga komunat tona sot në Amerikë – Kanada, Europë, dhe Australi, kemi shumë veprimtar të shquar të çështjes shqiptare’’ – vuri në dukje kreu i Dibrës Ruzhdi Lata, duke shtuar se : “Historia e Shqipërisë, kur nuk do ta harrojë kurrë kontributin e shqiptarëve të Amerikës dhe secili shqiptar duhet të ndihet krenar për kontributin tuaj.” .

Më pas Lata, dhe Dauti folën për çështjen e asaj që thirret “Korrektim ose “vizatim” të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe Referendumit të mbajtur për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, dhe u pajtuan të dy se lidershipi shqiptar duhet të tregohet më i matur në zgjidhjen e këtyre dy çështjeve.
Kryetari i Dibrës, ishte i mendimit se Shqiptarët e Amerikës, nuk duhet t’i kushtojnë më shumë se vëmendjes se ndihmave financiare, atyre te lidhjeve të tyre me kongresist, senator apo zyrtar të lart të Administratës.

“Gjeni sa më shumë miq në Amerikë, se ashtu do ta ndihmoni edhe më shumë Shqipërinë, Kosovën, dhe trojet shqiptare”, u shpreh i pari i Dibrës.

Ai tha po ashtu se fluksi i bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në mërgim në Europë dhe SHBA e Kanada, këtë vit ka qenë mjaft i madh, duke i dhënë një gjallëri dhe ndihmë të madhe ekonomike e financiare qytetit të tyre.

Në cilësinë e kryetarit të Dibrës, Lata duke iu falënderuar edhe njëherë të gjithë dibranëve në Amerikë, falënderoi edhe veprimtarin nga SHBA, zotin Haxhi Dauti – Kryetar i Këshillit Shqiptar Amerikan që e vizitoi Komunën e Dibrës e cila ka lidhje të hershme me Strugën dhe struganët.