15 të punësuarit në lavanderin e Qendrës Klinike “ Nënë Tereza” kanë mbetur pa sigurim shëndetësor dhe pensional. Pagën e fundit e kanë të muajit janar, ndërsa tre e fundit punojnë pa rroga. Përveç që nuk paguhen, ata punojnë edhe në kushte shumë të rënda. Që nga janari i vitit 2024, lavanderia menaxhohet nga kompania private “SkopSter”. Nga atje shpjegojnë se objekti është pjesë e një partneriteti publiko-privat me Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta. Kompania thotë se pagat janë vonuar për shkak se kjo e fundit nuk u paguan atyre kompensimin që u detyrohet sipas kontratës.
“Besojmë se së bashku me Shërbimin e Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta do të gjejmë zgjidhje që punonjësit të marrin pagat e tyre në kohë. Shpresojmë se subjekti do ti përmbushë në kohë detyrimet e mbetura dhe aktuale”, thonë nga Scopster.
Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta përgënjeshtron kompaninë. Drejtori Bashkim Bakiu i tha Televizionit Alsat se problemi qëndron mes kompanisë dhe punonjësve.
“Sa i përket obligimit të institucionit ndaj kompanisë, si institucion i kemi kryer të gjitha. Në bazë të kontratës çdo ndërprerje e shërbimeve të lavarndërisë, kompania është e obliguar të paguaj penale”, thonë nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andonovski premtoi zgjidhjen e këtij problemi por nuk dha afat konkret se kur lavanderia do të kthehet në funksion dhe punonjësit do të marrin rroga./Alsat.mk