Lavrov do të diskutojë me Blinkenin për këmbimin e të burgosurve

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë të premten se është i hapur për të diskutuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, rreth këmbimit të të burgosurve.

Marketing

Blinken ka thënë të mërkurën se Uashingtoni i ka ofruar Rusisë një marrëveshje që parasheh kthimin në shtëpi të basketbollistes amerikane, Brittney Griner, dhe amerikanit tjetër të burgosur, Paul Whelan.

Një zyrtar që ka njohuri për këto zhvillime, ka thënë se Qeveria amerikane i ka propozuar Rusisë këmbimin e Whelanit dhe Grinerit, me rusin e dënuar për tregti armësh, Viktor Bout.

Duke folur gjatë një vizite në Uzbekistan, Lavrov ka thënë se Ministria e Jashtme ruse ka pranuar një kërkesë zyrtare for bisedë telefonike, pasi Blinken e ka bërë publike deklaratën.

Kryediplomati rus ka thënë se është i gatshëm të diskutojë sapo të kthehet në Moskë dhe se është duke u caktuar ora.

Lavrov ka thënë se është i hapur për të diskutuar këmbimin e të burgosruve, ndonëse Ministria e Jashtme nuk ka qenë e përfshirë në diskutimet e kaluara për këtë çështje.

“Do ta dëgjoj se çfarë ka për të thënë”, ka thënë Lavrov.

I pyetur për ofertën amerikane, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se këmbimi i të burgosurve zakonisht negociohet në prapaskenë.

“Ne e dimë se këto çështje diskutohen pa i bërë publike”, u ka thënë Peskov gazetarëve.

“Zakonisht, publiku kupton diçka kur marrëveshjet të jenë arritur”.

Komentet e Blinkenit shënojnë herën e parë që Qeveria amerikane ka folur publikisht se si synon të veprojë për të siguruar lirinë e Grinerit.

Arrestimi i saj ka ndodhur në kohën e tensioneve në rritje mes Moskës dhe Uashingtonit, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.

Ndalesa prej pesë muajsh për basketbollisten është pritur me shumë kritika nga mbështetësit e saj në Shtetet e Bashkuara.

Në gjyqin për akuza rreth posedimit të drogës, që është mbajtur jashtë Moskës këtë muaj, ajo ka thënë se ka pasur rekomandim të mjekut për përdorim të kanabisit, për të trajtuar dhimbjet që i përjeton për shkak të karrierës që ka.

Whelan është dënuar më 2020 me 16 vjet burgim në Rusi, nën akuzat për spiunim.

Ai mohon se ka qenë i përfshirë ndonjëherë në diçka të tillë.