Lazim Destani: Fuqizim ekonomik e bën më të fortë kombin shqiptar

U zhvillua aktiviteti vjetor “Takimi i Shkodrës”. Qyteti i Shkodrës ka bërë bashkë personalitete të ndryshme e veprimtarë rajonal atdhetar, politik, kulturor e shoqëror të trojeve shqiptare në rajonin e Ballkanit në një tryezë diskutimi për forcimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomiko-social. Të pranishëm në aktivitetin e organizuar nga Kryebashkiakja Voltana Ademi ishin, sipërmarrësi dhe filantropi Lazim Destani, Nikollë Camaj Drejtor i “Gazeta e Alpeve për Malin e Zi”; kryetar i LDSH-të parës parti shqiptare (1990) në Mal të Zi i cili mbajti kumtesën, Shqiptarët në Malin e Zi dhe Marrëdhëniet me Shqipërinë e Kosovën” , Filip Guraziu, ish kryetar i Bashkisë Shkodër (1992-’96) i cili mbajti kumtesën “Korridori i Shpresës Adriatik-Alpe” etj.

Marketing

Në fjalën e tij përshendetëse Z. Destani theksoi edhe një herë rëndësine e bashkëpunimet mes shqiptarëve duke nënvizuar se në kohët e sotme, korridoret, rrugët, investimet dhe fuqizimi i ekonomisë dhe bizneseve shqiptare anëmbanë vendeve tona e përtej tyre, janë ato që do ta bëjnë më të fortë kombin shqiptar, do t’i lidhin e mbajnë afër shqiptarët, pavarësisht se në cilin shtet jetojnë.

Fjala e plotë e Z. Lazim Destani

I nderuar zoti Lushaj,

E nderuar Kryetare e Bashkisë Shkodër, zonja Voltana Ademi,

Të nderuar pjesëmarrës, nga të gjitha trojet tona,

Ndihem i nderuar dhe kam kënaqësinë e veçantë që ndodhem sot në këtë takim këtu në Shkodër, në këtë qytet të lashtë të kulturës, dijes e të patriotizmit!

Më lejoni që t’ju përgëzoj për “Takimin e Shkodrës”, për këtë aktivitet mbarëkombëtar që tashmë po kthehet në traditë dhe që na bashkon të gjithëve me gjak shqiptari, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe pa harruar për asnjë moment Luginën e Preshevës.

Takimi i sotëm në Shkodër, ashtu si takimet që keni realizuar vitet e kaluara por edhe ato që do t’i zhvilloni vitet e dekadat e ardhshme, i kanë shërbyer e do t’i shërbejnë çështjeve mbarëkombëtare, të cilat kemi nevojë t’i mbajmë si vatra zjarri të ndezura.

Trojet tona kanë një histori shumëshekullore me luftëra e përpjekje të pareshtura për liri e pavarësi. Gjithmonë të ndara mes vete nën sundime të ndryshme, por përveç kufijve administrativë, asgjë nuk ka mundur të na ndajë e të na mbajë larg njëri-tjetrit.

Me këtë rast po e përmend shprehjen popullore “Shkup e Shkodër” që flet shumë për lidhjet dhe marrëdhëniet vëllazërore që e përshkojnë këtë brez gjeografik. Sa për ilustrim, në historinë tonë jo të largët, ishte shkodrani Lazër Mjeda, vëllai i rilindasit tonë të madh Ndre Mjeda, i cili nga viti 1909 deri në 1921 shërbeu si kryeipeshkëv i dioqezës së Shkupit. Gjatë periudhës 13 vjeçare të shërbimit të tij si klerik në Shkup, Lazër Mjeda në qendër të aktiviteteve të tij e kishte çështjen kombëtare. Këtë e dëshmojnë vet fjalët e tij kur thotë, “Unë nuk di politikë tjetër, por me ba detyrën teme, si shqiptar e si ipeshkëv”.

Ndërsa në kohët e sotme, korridoret, rrugët, investimet dhe fuqizimi i ekonomisë dhe bizneseve shqiptare anëmbanë vendeve tona e përtej tyre, janë ato që do ta bëjnë më të fortë kombin shqiptar, do t’i lidhin e mbajnë afër shqiptarët, pavarësisht se në cilin shtet jetojnë.

Sot, ne të gjithë së bashku, përmes aktiviteteve të ndyshme, me nisma individuale apo grupore, me lobime, me ekonomi e biznese të forta, me shpirt e zemër të bashkuar, mund dhe duhet ta japim kontributin tonë që trojet tona të ndihen një, të jenë kurdoherë bashkë dhe të gjithë ta lartësojmë flamurin tonë kombëtar.

Kjo arrihet me veprat e çdonjërit prej nesh, me përpjekjet tona, duke i shërbyer kombit gjithsecili në mënyrën e tij, pavarësisht se ku ndodhemi fizikish. Shpirti e zemra jonë duhet kurdoherë të jenë tek trojet tona.

Edhe një herë, ju përgëzoj për këtë aktivitet kaq të bukur e me shumë vlera për trojet shqiptare!