Më 9 shkurt votohet në Kosovë ndërsa me 11 maj në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, në të cilat për herë të parë mund të votojnë edhe mërgimtarët. Për zgjedhjet në Kosovë janë regjistruar më shumë se 105 mijë votues nga mërgata, ndërsa sipas të dhënave zyrtare, jashtë Shqipërisë jetojnë mbi një milion shtetas të këtij vendi me të drejtë vote.
Por për të votuar, shtetasit e Shqipërisë duhet të regjistrohen më së largu deri me 4 mars. Për rëndësinë e këtij votimi dhe për rolin e mërgatës flet edhe biznesmeni dhe filantropi i njohur shqiptar Lazim Destani, i cili është edhe antar i Këshillit Koordinues të Diasporës (pëfaqësues mërgatës shqiptare në Gjermani). Ai fillimisht ju bën thirrje mërgimtarëve nga Kosova ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre:
Lazim Destani: Unë fillimisht dua të ftoj të gjithë mërgimtarët që kanë të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të votojnë në zgjedhjet e Kosovës. Ndërsa regjistrimi dhe votimi i mërgatës shqiptare është një çështje të cilës duhet t’i kushtojmë vëmendje të jashtëzakonshme të gjithë ne së bashku. Më në fund po realizohet ajo që qeveritë dhe institucionet shqiptare kanë premtuar për dekada të tëra – që edhe mërgatës t’i mundësohet e drejta e votës jashtë vendit. Është bërë shumë punë për të arritur deri këtu. Janë individë, grupe e shoqata të ndryshme që për vite të tëra kanë punuar në këtë drejtim. Përpjekjet e të gjithëve meritojnë mirënjohje, përfshirë edhe angazhimin e Këshillit Koordinues të Diasporës. E drejta e votës është e drejtë kushtetuese, pra është diçka që është dashur të realizohet edhe më parë. Por pavarësisht vonesave, besoj se realizimi i kësaj të drejte paraqet një ndryshim të shëndetshëm për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Vota e mërgatës sjell një frymë të re pozitive për zhvillimin dhe përparimin e atdheut.
Ju jeni anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, përfaqësues në Gjermani. Për zgjedhjet në Kosovë janë regjistruar mbi 105 mijë mërgimtarë. Po cili është interesimi i shtetasve të Shqipërisë që jetojnë në Gjermani dhe vendet e tjera për zgjedhjet e 11 majit?
Lazim Destani: Në këtë fazë është shumë i rëndësishëm roli i mediave dhe i rrjeteve sociale si dhe institucioneve të shtetit që të informojnë sa më mirë mërgatën për afatet dhe mënyrën e regjistrimit për votime. Regjistrimi për votime mund të bëhet deri me 4 mars 2025. Po e theksoj, sepse vetëm ata që regjistrohen do të mund të votojnë jashtë vendit. Ne po punojmë për informimin dhe regjistrimin e një numri sa më të madh të votuesve, sepse votimi i mërgatës është jashtëzakonisht i rëndësishëm, kur dihet se roli i saj është i pazëvendësueshëm për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit. Ne shqiptarët si popull shpesh i lëmë gjërat për momentin e fundit, por e shoh që interesimi i mërgatës për këto zgjedhje është vërtet shumë i madh. Shumë prej tyre janë regjistruar menjëherë, por i ftoj edhe të tjerët që jetojnë jashtë vendit që të regjistrohen sa më parë dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votojnë.
Shumë mërgimtarë kanë probleme me kartat e identitetit dhe me pasaporta. Si mund të zgjidhet ky problem dhe a do të lejohet të votojnë ata që nuk kanë karta identiteti?
Më vjen shumë mirë që shtruat edhe këtë pyetje: Do të ishte mirë që të gjithë të kenë karta dhe pasaporta valide të identietetit. Qeveria dhe institucionet kanë premtuar se kartat e identitetit dhe pasaportat do të lëshohen për mërgimtarët me prioritet. Por pikërisht sot na erdhi lajmi se Qeveria e Shqipërisë ka miratuar kërkesat tona që të mund të votohet edhe me karta të skaduara të identitetit. Kjo ka qenë edhe një kërkesë e jona, sepse shumë mërgimtarë kanë pasur dhe kanë probleme të tilla. E kjo lehtëson shumë edhe procesin e regjistrimit dhe votimit të mërgatës.
Si qëndron puna me të rinjtë që nuk kanë votuar më parë, sepse duket se edhe ata janë të interesuar për këto votime. A mund të regjistrohen dhe të votojnë edhe ata në mërgatë?
Lazim Destani: Është vërtet shumë mirë që edhe të rinjtë janë të interesuar të votojnë në këto zgjedhje. Në historinë e shtetit shqiptar, kjo është hera e parë që diaspora shqiptare do të mund të votojë jashtë vendit. Ata nuk kanë nevojë pra të bëjnë qindra e mijëra kilometra rrugë për të shkuar e për të votuar në vendlindje. Përqafimi i kësaj mundësie nga të rinjtë e diasporës është entuziazmues për ne të gjithë. Ne mërgimtarët shqiptarë i kemi ruajtur brez pas brezi lidhjet tona të forta me atdheun. Është shumë mirë që edhe rinia e tanishme shqiptare ka këto ndjenja. Interesimi i rinisë sonë për të votuar tregon dashurinë e tyre ndaj vendit të origjinës, tregon se kjo rini kërkon të jetë faktor formësues në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë dhe më të ndritur për atdheun, e sigurisht edhe për mërgatën që aktualisht jeton jashtë vendit. Unë dua të inkurajoj të rinjtë që të regjistrohen, të votojnë dhe të ndihmojnë zhvillimin demokratik dhe ekonomik të atdheut tonë të përbashkët. Do të ishte mirë që edhe ata të bëhen pjesë e këtij momenti historik.
Zoti Destani, pse është me rëndësi votimi i mërgatës, cilat janë përparësitë e këtij votimi?
Lazim Destani: Vota është e drejtë kushtetuese e çdo shtetasi shqiptar, andaj dua ta inkurajoj çdo shtetas shqiptar që jeton në mërgatë që ta realizojë këtë të drejtë. Ne e mbështesim fuqishëm realizimin e kësaj të drejte, sepse vota e mërgatës është votë për atdheun dhe votë për demokracinë. Zëri i mërgatës duhet të dëgjohet edhe përmes votimeve. Qeveria e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera kanë punuar shumë për realizimin e kësaj të drejte. Ndërsa ne tani duhet ta shfrytëzojmë këtë dhe të japim kontributin tonë edhe në këtë mënyrë. Diaspora meriton të jetë pjesë e formësimit të së ardhmes së atdheut.
Regjistrimi mund të bëhet deri me 4 mars, ndërsa informacionet i gjeni në këtë link: