Si përkrahës dhe aktivist i zhvillimit ekonomik të rajonit të Europës Juglindore, Lazim Destani sot mori pjesë në konferencën e posaçme të Forumit Ekonomik të Vienës “Vienna Economic Talk – Perspektiva të reja për Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Kjo konferencë u mbajt nën organizimin e A1 Telekom Austria Group, në selinë e tyre në kryeqytetin austriak, Vienë.
Krahas politikanëve tjerë të lartë dhe përfaqësuesve të shumë kompanive austriake me renome, në konferencë nga Maqedonia e Veriut morën pjesë, Kryeministri Zoran Zaev, Ministri i Financave Dragan Tevdovski, ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi si dhe Ministri i Ekomonisë Koço Angjushev. Në këtë Forum gjithashtu morën pjesë, Presidenti i Forumit Ekonomik të Vienës Gunther Rabensteiner, Presidenti i A1 Telekom Austria Group Thomas Arnoldner, Eurokomisari Johanes Han, ambasadorë e diplomatë të shumtë, përfaqësues nga Banka Botërore si dhe përfaqësues të Rrjeteve të biznesit.
Bisedimet zyrtarisht u hapën nga Ambasadorja Dr. Elena Kirtcheva, Sekretare e Përgjithshme e Forumit Ekonomik të Vienës. Dialogu u përqendrua tek motoja e organizatës joqeveritare ndërkombëtare “Ekonomia takohet me politikën” ku u përfshinë në diskutime disa industrialistë të nivelit të lartë.
“Unë kam besuar gjithmonë se rajoni i Ballkanit është një burim i pashfrytëzuar”, thotë z. Destani. “Ne duhet të sigurojmë kushte të duhura për ta inkurajuar rritjen dhe zhvillimin e rajonit dhe këtë e shikoj si mënyrën më të përshtatshme për t’i mbajtur aty talentët tanë më të mirë, nga çdo sektor i shoqërisë. Kjo përfshin artet, biznesin dhe teknologjinë. Ne duhet të sjellim garanca se ekzistojnë mundësitë që për rininë tonë t’i shmangim kurthet e “ikjes së trurit”, shpjegoi filantropi.
Lazim Destani më tej vuri në dukje, “ky forum që përqendrohet tek ‘Perspektivat e Reja për Republikën e Maqedonisë së Veriut’ është një projekt për llojin e bashkëpunimit e për diskutimet që ne duhet të kemi për t’ia arritur qëllimit. Fakti që në këtë Forum marrin pjesë së bashku Kryeministri dhe Ministri i Financave nga Maqedonia e Veriut si dhe Komisioneri i BE-së për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe për Zgjerim, demonstron rëndësinë e kësaj marrëdhënie për Europën në tërësi”.
Në këto bisedime ishin të pranishëm disa sektorë të industrisë duke përfshirë gjigantët e fotografisë dhe teknologjisë Canon, prodhuesit industrial Siemens dhe manjatët e ndërtimit Bouygues.