LDK e ndarë në grupe, përplasjet brenda partisë po e pengojnë marrëveshjen me VV-në

Lëvizja Vetëvendosje të martën i ka dërguar një ofertë të re Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion bashkëqeverisës. Nga LDK u shprehën të pakënaqur duke deklaruar se oferta është e ngjashme me të kaluarat.
Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu shprehu pakënaqësinë në Facebook, duke thënë se ofertat e VV-së janë joserioze dhe po duan që ta nënshtrojnë LDK-në. Po ashtu, ai shtoi se VV po synon që ta shkëpusë LDK-në nga e kaluara e saj europiane e euroatlantike.Deklaratën e Veliut e kundërshtoi nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani duke thënë se me VV-në koaliconi u krijua qysh në vitin 2017 dhe se miqësitë që LDK i ndërtoi me botën demokratike janë ato që përcaktuan orientimin strategjik të vendit – orientim properëndimor e euroatlantik.“Natën e dhjetorit të 2017-ës kur dëshiruan ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale, ani pse miqtë nderkombëtarë thonin se ishte ‘thikë pas shpinës’, vetëm VV i doli në krah LDK-së në ruajtjen e shtetësisë së Kosovë. Atë natë, u lidh koalicioni i shpresës”, tha Osmani.Përplasjet që po ndodhin brenda LDK-së, po shihen si problem kryesor pse kjo parti nuk arrinë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.Analisti Imer Mushkolaj, ka thënë për lajmi.net se problemet po shtohen në LDK pasi sipas tij, ka ndarje në dy grupe.“Unë besoj se problemet vetëm sa janë shtuar brenda LDK-së te grupi që e përkrahë një marrëveshje me Vetëvendosjen dhe grupi që e kundërshton marrëveshjen, z.Veliu është në këtë grupin që e kundërshton marrëveshjen. Deklarimet e tij por edhe të zyrtarëve të tjerë që të them se i ‘takojnë gardës tjetër’ më tepër i shoh të drejtuara kundër Vjosa Osmanit sesa kundër Vetëvendosjes arsyeja për këtë është se krijimi i një koalicioni me VV e forcon Vjosën dhe ju prish shumë interesa grupit të Veliut edhe pse nuk jemi të sigurt se ky grup është i rreshtuar krah tij. Kjo është arsyeja pse ende LDK-ja nuk po e gjen ‘paqen’ për me e kriju marrëveshjen me VV-në”, ka thënë Mushkolaj.Ai ka theksuar se LDK ka qenë dhe vazhdon të mbetet pjesë e një sistemi të cilin e ka ndërtuar vet, dhe ka frikë se pas këtij koalcioni do të fillojë rrënimin e këtij sistemi të krijuar ndër vite.Sa i përket asaj se deklaratat e Veliut e kanë çuar LDK-në edhe më largë marrëveshjes me VV-në, Mushkolaj thotë se kjo varet shumë se si qëndrojnë raportet brenda partisë.“Varet shumë se si qëndrojnë raportet brenda LDK-së nëse përnjëmend ia del të fitoj ta quaj ashtu opsioni i Veliut atëherë gjasat janë të mëdha që të mos arrihet koalicioni. Në anën tjetër unë e konsiderojë një situatë absurde kur votat për LDK-në i ka fituar Vjosa Osmani me premtimin se do të bëjë koalicon me VV-në ndërkohë që tash për koalicon të vendos z.Veliu ose dhe dy tjerët krerë të LDK-së Haziri dhe Mustafa të cilët nuk kanë qenë pjesë e listës zgjedhore dhe nuk kanë fituar asnjë votë në këto zgjedhje. Vet mënjanimi i Osmanit nga procesi tregon shumë se çfarë synon LDK-ja”, ka përfunduar Mushkolaj.Gjasa të vogla për një koalicion VV-LDK i sheh, analisti Blerim Burjani.Sipas tij, marrëveshja është vështirësuar pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar i Kuvendit.“Gjasat janë minimale për një koalicion edhe pse oferta e fundit e VV-së për LDK-në ishte gjeneroze që është dashur ta bëjë kaherë dhe jo në fund të këtij procesi. Mendoj se ka ardhur fundi e që është negative pasi LDK e ndjen vetën të anashkaluar përfundimisht me zgjedhjen e Konjufcës kryeparlamentar nga VV dhe se Presidenti deri më 2021 nuk ka garancë që mund t’i jepet LDK-së. LDK e sheh si të përmbyllur këtë process për momentin, fjalori i tyre është gjithnjë “e shqyrtojmë”, por duket se nuk ka pasur vullnet prej fillimit për një koalicion”, ka thënë Burjani.‘Koalicioni i shpresës’ ende nuk është afër një epilogu. Ndërsa, përgjigjen për ofertën e fundit të VV-së, LDK deklaroi se do ta jap gjatë ditëve në vijim. Ndërkohë u raportua se në ofertën e re VV ka rritur numrin e ministrive nga 12 në 14.

Marketing
Marketing