LDK nënshkruan marrëveshje koalicioni edhe me Nismën Socialdemokrate

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nënshkruar të enjten marrëveshje për bashkëqeverisje me Nismën Socialdemokrate.

Marketing

Pas takimit të krerëve të të dyja partive, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka konfirmuar para gazatarëve arritjen e koalicionit.

“Ne sot së bashku me kryetarin e LDK-së dhe kandidatin për kryeministër kemi arritur marrëveshje koalicioni. Pas zhvillimeve të kohëve të fundit, të gjithë jemi dëshmitarë të asaj që ka ndodhur. Kosova ka nevojë për një qeveri që e mbikëqyr parlamentin, i përgjigjet dhe një qeveri që mund të funksionojë sipas ligjeve”, ka thënë ai.

Limaj ka thënë se partia e tij në qeverinë e re, do të ketë dy ministria dhe postin e zëvendëskryeministrit.

Marrëveshje për bashkëqeverisje LDK ka nënshkruar një ditë më parë edhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Procedurat për formimin e qeverisë së re pasojnë iniciimin e mocionit të mosbesimit nga LDK-ja kundër qeverisë tashmë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në mesin e arsyeve për ngritjen e mocionit janë përmendur marrëdhëniet që së fundmi ka Kosova me Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm.

Kurti në anën tjetër ka thënë se do ta sfidojë vendimin për formim të qeverisë së re nga LDK-ja në Gjykatën Kushtetuese.