LDK respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do ta respektojë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj, i cili i mundësonte kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit, të formonte qeverinë e re.

Marketing

Megjithatë, kjo parti ka thënë se është e vendosur në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë qeverinë e re.

“LDK-ja, me anë të marrëveshjeve politike, ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re”, është thënë në një komunikatë për media të kësaj partie.

Më 30 prill, Thaçi ka njoftuar se ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar një ditë më parë nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që të organizojë seancë të jashtëzakonshme më 2 maj për formim të qeverisë së re, mirëpo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria në detyrë do të vazhdojë punën, deri në vendimin e ardhshëm.