Le Petit Parisien (1916) / Intervista me Esat Pashën në hotelin Majestic, në Paris : “Unë kam ardhur në Paris për të pushuar, sepse jam jashtëzakonisht i lodhur”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Janar 2020

Marketing

“Le Petit Parisien” ka botuar, të hënën e 3 prillit 1916, në faqen n°3, intervistën me Esat Pashë Toptanin, të zhvilluar asokohe në hotelin “Majestic”, në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Esat Pasha ndodhet në Paris për një periudhë dyjavore

Esat Pasha, presidenti i qeverisë së Shqipërisë, i cili prej disa kohësh qëndron në Nice me familjen e tij, sapo ka mbërritur në Paris, ku do të qëndrojë dy javë.

Simpatitë e nikoqirit tonë, për aleatët, janë të njohura. Esat Pasha i afirmoi ato ndërsa mbeti i pandjeshëm ndaj joshjeve të Austro-Hungarisë.

Ai pranoi të na presë mbrëmjen e djeshme në hotelin Majestic, ku po qëndron.

Pasi na kujtoi me shumë përzemërsi intervistën që pati kohët e fundit me një nga të dërguarit tanë specialë, Esat Pasha shtoi :

“Unë vij në Paris për të pushuar, sepse jam jashtëzakonisht i lodhur. Unë e dua, gjithmonë e kam dashur shumë Francën dhe jam krenar që shqiptarët e mi po luftojnë për kauzën fisnike që ushtarët tuaj mbrojnë me kaq lavdi. Mbase do të shkoj edhe në Angli; anglezët gjithashtu janë një popull fisnik dhe të guximshëm, për të cilin kam admirimin më të madh dhe do të jem i lumtur të kaloj disa ditë në Londër.

Gjatë qëndrimit tim këtu, unë pres që të takoj politikanët e shquar që janë në krye të qeverisë; Nëse do të ishte e mundur që të takoja gjeneralin Joffre dhe t’i tregoja atij admirimin tim dhe atë të popullit tim për ushtrinë e guximshme franceze, unë do të isha i kënaqur, por, për momentin, nuk kam asnjë program të caktuar. Gjithçka do të varet nga gjendja ime shëndetësore.”

Esat Pasha na flet në vijim për mizoritë e kryera në Serbi dhe në Shqipëri nga austriakët. Me një zë të ulët, ai deklaron :

“Armiqtë tanë kurrë nuk do të paguajnë aq sa duhet krimet që kryejnë çdo ditë. Ata masakrojnë njerëz të moshuar, gra, fëmijë; ata plaçkisin, shkatërrojnë gjithçka që hasin në rrugën e tyre. Ata janë barbarë, nuk kanë asnjë mëshirë.

Tani nuk ka më asnjë bandë shqiptare, të gjithë jemi të bashkuar për të zmbrapsur pushtuesin.

Konferenca e aleatëve dhe bashkimi i ngushtë i shtabeve kanë dhënë një përshtypje të thellë te popujt e Ballkanit. Organizimi i mrekullueshëm i kampit të ngulitur të Selanikut, mbrojtja heroike e Verdun-it kanë demonstruar përfundimisht se fuqia e Gjermanisë është në rënie.

Meqenëse fuqia gjermane ka dështuar, me ndihmën e aleatëve të saj, të ju pengojë të forconi Selanikun, askush atje nuk dyshon në triumfin përfundimtar të çështjes së madhe që mbrojmë të gjithë.”

Me këto fjalë përfundoi intervista. Le të kujtojmë se mbreti Pjetër e dekoroi Esat Pashën me kordonin e madh të Karaxhorxhit, dallimi më i lartë serb, dhe që mbreti i Italisë e dekoroi atë me kordonin e madh të shenjtorëve Maurizio dhe Llazari.

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

MEDIAL.mk