Legjenda e futbollit shtrohet në spital

Legjenda e futbollit botëror, Pele u shtrua me urgjencë në një spital në Paris duke ngjallur frikë dhe pasiguri te miliona tifozë në mbarë botën.

Marketing

Një temperaturë e lartë aspak e zakonshme dhe konvulsionet muskulare tronditën ish-sulmuesin brazilian vetëm pak orë pasi ai ishte bërë protagonist i një dueti të bukur me futbollistin francez Kylian Mbappe.

Diagnoza e rezervuar e spitalit ka lënë vend për dyshime, por burime pranë mediave franceze flasin për një patologji të njohur me emrin “spazmofilia”, që konsiston në hiperakktivitet të muskujve dhe konvulsione e kontraktime shpeshherë të pavullnetshme.

Simptoma të tilla janë të ngjashme me sindromën e Ajzak, një neuropati e rrallë që mund të ketë prekur atë që konsiderohet gjerësisht futbollisti më i mirë i historisë.

Në moshën 78-vjeçare dhe me një karrierë impresionuese ku kaloi kufirin e 1 000 golave, Pele nuk është hera e parë që kërkon ndihmë mjekësore pas eventeve publike. Në Lojërat Olimpike të Rio De Zhaneiros në 2016 ai nuk ishte në gjendje të qëndronte në këmbë në ceremoninë inauguruese, ndërsa në shortin e Botërorit të Futbollit 2018 u detyrua të shkonte në një karrige me rrota.

Tani në Paris duket gjithçka në kontroll, por sinjalet aspak inkurajuese për shëndetin e Pelesë po trembin ende nostalgjikët e futbollit të bukur dhe ata që janë rritur me kujtimet dhe golat e brazilianit.

Marketing