Lehona nga Dibra, për herë të tretë fillon procesi gjyqësor

Për të tretën herë sot filloi procesi gjyqësor për lehonën nga Dibra, të cilës i janë hequr mitra, vezoret dhe veshka, gjatë lindjes me prerje cezariane, ku të akuzuar janë 3 doktorë nga spitali i Strugës. Procesi gjyqësor për lehonën fillon për herë të tretë prej fillimi për shkak të ndërrimit të gjyqtarëve, të cilët dolën në pension. Prej kur ka filluar procesi gjyqësor janë ndërruar dy gjyqtarë, të cilët me afat prej një viti dolën në pension. Ndërsa për shkak të mungesës së gjyqtarëve në Strugë, gjykimin e udhëheq një gjykatës nga Shkupi, i cili është gjykatësi i tretë që udhëheq këtë proces gjyqësor. Avokati i lehonës tha se procesi më herët ka shkuar më ngadalë, ndërsa ka besim tek gjykatësi i ri dhe ka shpresë që këtij procesi së shpejti do t’i vijë fundi.

Marketing

“Ndryshmin e atmosferës në gjykatë e ndjemë të gjithë, kjo tani është shumë ndryshe nga ajo që kemi pasur deri më tani. Unë besoj tek ky gjyqtar i ri, besoj tek prokurori publik, janë duke e udhëhequr shumë mirë procedurën. S’ka dyshim, kështu që ka shpresë që do të vijmë në fund dhe do të sillet drejtësi, cilado qoftë ajo, do të dalë në dritë.”, – theksoi avokati i lehonës nga Dibra, Sasho Janev.

Lehona nga Dibra, Jëlldëz Veaposka, e cila ka më shumë se dy vite që kërkon drejtësinë, thotë ndihet e lodhur nga e gjithë procedura dhe shpreson që me gjyqtarin e tretë t’i jepet fund procedurës. Ajo thotë se nëse nuk e gjen drejtësinë këtu, do të drejtohet në Strasburg.

“Deklarata për të tretën herë dhe kthimi në ato ditë që më kanë ndodhur dhe në atë spital fatal të Strugës, më shkurton jetën gjithnjë e më shumë dhe dobësohem gjithnjë e më shumë, në vend që të vijë drejtësia dhe mjekët të marrin dënimin që meritojnë. Dashtë Zoti që hera e tretë të jetë e vërtetë dhe të përfundojë sa më shpejt. Nëse nuk do të ketë drejtësi në Maqedoni për tre mjekët, drejtësinë do ta kërkoj në Strasburg.”, – u shpreh lehona nga Dibra, Jëlldëz Veaposka.

Tre doktorët gjinekologë akuzohen për krime të rënda kundër shëndetit të njerëzve. Sot në seancë, të tre deklaruan se nuk ndihen fajtorë. Seanca e radhës u vendos për muajin shkurt.