Çdo ditë zgjohet herët dhe merr rrugën për në shkollë. Por, pritja që sot po i bëhej aty ishte shumë më ndryshe. E gjithë klasa po e duartrokitnin, sepse ai para pak ditësh ishte kthyer nga Anglia me tre medalje.
12 vjeçari Leon Belegu, në garën ndërkombëtare “Owlypia”, e cila zgjon kuriozitetin intelektual të fëmijëve, të mbajtur në Cambridge të Britanisë të Madhe, është shpërblyer me tre çmime. Buzëqeshja në fytyrën e tij e tregonte më së miri gëzimin që kishte.
“Cambridge është qytet i vogël, por shumë historik. Është qytet i universitetit. Ka 31 kolegje që e formojnë universitetin. Ndër më të njohurit është “King College” që është edhe më i madhi atje. Unë kam garuar në “Fitswilliam College” me rreth 100 fëmijë nga e gjithë bota. Ka pasur edhe nga Kosova e Shqipëria. Ka pasur pesë gara. Ndër të ka pasur gara në të folur dhe në të shkruar. Në një garë kemi pasur rreth pesë lëndë të caktuara. Ka qenë obligim të mësohet për ato lëndë e pastaj njohuritë të shkruhen në letër. Kur ka përfunduar gjithçka na kanë treguar kush ka fituar”, thotë për RTV Dukagjinin, Leon Belegu.
Në garën e “Owlypias”, kanë marrë pjesë mbi 150 fëmijë, nga vende të ndryshme të botës. Gjatë qëndrimit atje, të rinjtë kanë pasur mundësi të japin ide kreative dhe të shprehin potencialin e tyre intelektual.
Pas suksesit të Leonit atje, padyshim që fshihet edhe angazhimi i familjes. Dardan Belegu, babai i Leonit, ka thënë se ndihet jashtëzakonisht i lumtur me sukseset e tij.
“Normalisht që u gëzohemi gjërave të tilla që kanë të bëjnë sidomos me fëmijët. Është një lloj rezultati që tregon punën e mëhershme të prindit më fëmijën. Nëse flasim për ndikimin e prindërve në këtë suksese, sigurisht se është i madh. Do veçoja bashkëshorten në këtë rast, pasi ajo është marrë me Leonin qysh prej kur ka filluar të flasë dhe e ka mësuar si t’i mësojë gjërat vet”, shprehet Dardan Belegu.
Leoni, vijon mësimet në shkollën Model “Qamil Batalli” dhe përkushtimi i madh që ka për mësimet, e ka bërë ndër nxënësit më të dalluar. Kështu ka thënë edhe drejtori i kësaj shkolle Liridon Maliqi.
“Është një gëzim i madh përderisa në këtë garë kanë marrë pjesë mbi 150 nxënës nga e gjithë bota dhe të gjitha kontinentet. Natyrisht se jemi gëzuar pasi ka ardhur një medalje e artë në radhë të parë në vendin tonë e më pas edhe në shkollën tonë e pastaj edhe në familjen Belegu, meqënëse ata janë një familje shumë e mirë dhe Leoni është ndër nxënësit më të angazhuar për të nxënë procesin mësimor në përgjithësi”, tha Liridon Maliqi.
Si një djalë disiplinar dhe me shumë dashuri për mësimet , e përshkruan edhe mësuesja Bukurie Ismajli. Ajo ka thënë se Leoni, ka një inteligjencë të dalluar.
“Jam shumë e lumtur me nxënësin Leon Belegu pasi është i shkëlqyer, angazhohet shumë dhe shihet e dihet rezultati i tij”, thotë mësuesja Bukurie Ismajli.
Suksesit të Leonit i janë gëzuar pa masë edhe shokët e klasës. Ata ndihen krenar me të.
“Leoni është nxënës i shkelqyeshëm. Ka kaluar gjithmonë me pesësha. Edhe në gjuhën anglaze ai ka qenë më i dalluar se ne. Më pëlqen shoqëria më të”, shprehet Ditjon Malaj
“Leoni për mua është një shok shumë i mirë. Më ka ndihmuar në gjëra të ndryshme. Në klasë është i shkëlqyeshëm. Në anglisht është më i dalluar se nxënësat e tjerë. Për suksesin e tij në Angli jemi gëzuar e gjithë klasa dhe e gjithë shkolla”, thotë nxënësja Suhela Çunaku.
I urtë, i buzëqeshur e shumë kurreshtar, Leon Belegu ka thënë se do të vazhdojë të punojë me një përkushtim shumë të madh, deri në realizimin e ëndrrave të tij.