Lëshohet në përdorim ura Shipkovicë – Brodec

????????????????????????????????????

Lëshohet në përdorim ura mes Shipkovicës dhe Brodecit, e cila u shkatërrua tërësisht nga vërshimet e vitit 2015. Ndërtimi i urës është financuar nga Byroja për zhvillim rajonal dhe nga komuna e Tetovës.

Marketing

“Me përfundimin e kësaj përfundon një projekt i cili kap vlerën e 8 milion dinarëve, 3.5 janë siguruar nga Byroja për zhvillim rajonal dhe pjesa tjetër është e buxhetit të komunës së Tetovës. E gjithë distanca Shipkovic – Brodec është jo vetëm e kalueshme, por është edhe e kohës së re”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Problem në vete është edhe përroi në brendi të fshatit Shipkovicë, i cili mori edhe jetë njerëzish gjatë vërshimeve të vitit 2015. Katër vite pas vërshimeve, qeveria ka angazhuar komunën e Tetovës që të bëjë projekt për rregullimin e shtratit.

“Në mbledhjen e fundit të Qeverisë që u mbajt në Tetovë, ne u akorduam që projektin sa i përket përroit ta bëjë komuna e Tetovës dhe ne kemi nisur punët për ta përfunduar projektin. Ndërkohë, Qeveria ka marrë përsipër financimin e projektit sa i përket shtratit të përroit dhe zvogëlimin e plotë të rrezikut nga vërshimet për fshatin Shipkovicë, sa i përket pjesës së brendshme”,- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Arifi më tej ka shtuar se në mbledhjen e fundit që ka pasur Qeveria në Tetovë, është vendosur që të hartohet projekti për rrjetin e kanalizimit dhe stacioneve të filtrimit të ujërave të zeza për të gjitha fshatrat.

Kjo sipas Arifit do të zgjidhë dy probleme për këta banorë, edhe problemin me kanalizimin por më pas edhe rregullimin e infrastrukturës.