Letra që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ia ka dërguar homologut të tij kosovar, Hashim Thaçit, në të cilën thuhet se Uashingtoni është i gatshëm që presidentit Thaçi t’i ofrojë ndihmë në përpjekjet për të arritur marrëveshje në dialogun me Serbinë ka pushtuar mediat në Serbi.
Mediat beogradase shkruajnë se Trump ka shprehur kënaqësi për bisedën që ka zhvilluar me Thaçin në ceremoninë e shënimit të 100-vjetorit të Përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me ç’rast ka theksuar se Kosova është partnere vendimtare e Uashingtonit për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë.
Presidenti i SHBA-së, shkruajnë mediat serbe, ka përshëndetur përpjekjet e Thaçit për pajtim me Serbinë. “Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”, ka shkruar Trump.
“Unë, ju nxis Ju dhe liderët e Kosovës, që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes”, ka porositur presidenti i SHBA-së.
Në letër, shkruajnë mediat beogradase, Trupm rikujton se SHBA-ja ka investuar shumë në suksesin e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran. “Duam që shteti Juaj të vazhdojë të zhvillohet, ka shtuar Trump”.
“Ne jemi të gatshëm që t’ ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ju mirëpres Ju dhe Presidentin Aleksandar Vuçiq, për të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike”, citojnë mediat në Serbi letrën e presidentit Trump.
Mediat në Serbi shkruajnë së presidenti Thaçi në mesazhin e tij në Tëitter është shprehur se edhe ai i gëzohet kremtimit të përmbylljes së paqes në Shtëpinë e Bardhë dhe hapjes së shtegut për anëtarësimin e Kosovës në NATO, Bashkim Evropian dhe Kombe të Bashkuara.