Propozim Ligji për lojërat e fatit, më shumë se një vit vazhdon të zvarritet në Kuvend. Nga Lëvizja Anti-Bixhoz ankohen për mos-interesimin e politikës për zgjidhjen e çështjes. Kreu i kësaj Lëvizje, Xhemal Abdiu paralajmëron masa të ashpra nëse problemi mbetet i pazgjidhur.
Këtë neglizhencë të vendimmarrjes ne nuk do ta tolerojmë dhe do të insistojmë me çdo kusht sa më shpejtë të zgjidhet ky ngërç për sa i përket ligjit për lojërat të fatit, pasi brenda kohës hapen edhe bastore të reja edhe kazino të reja në mënyra pompoze me këngëtar nga jashtë me harxhime jashtëzakonisht të mëdha, këto i kemi sqaruar edhe në letrën e hapur. Mirëpo nëse vazhdon kjo situatë atëherë hapi i parë do të jetë padëgjushmëria e qytetarëve dhe normal që do të përgatitemi për protesta të ardhshme në qytetin e Shkupit”-tha Xhemal Abdiu, Lëvizja Anti-Bixhoz.
Edhe pse BDI-ja është propozues i Ligjit për Lojërat e Fatit, deputeti Rexhail Ismaili, nuk ka pranuar të flasë para kamerës, duke thënë se nuk ka për të shtuar asgjë më shumë nga qëndrimet e shprehura disa herë se janë të gatshëm në çdo moment ta miratojnë këtë ligj. Madje tha se e kanë mbështetjen e të gjithë deputetëve shqiptarë. Ismaili tha se përgjigje se përse nuk shqyrtohet pr/ligji duhet të japë LSDM-ja. Deputeti i LSDM-së Kostadin Kostadinov, tha se partia e tij nuk është kundër ligjit por se në agjendën e Kuvendit prioritet kanë pasur ligjet reformuese për integrimet euro-atlantike.
Të shohim si vendet e rajonit e kanë zgjidhur çështjen kur bëhet fjalë për organizatorët e lojërave të fatit. Gjithsesi duhet të kujdesemi mos dëmtohet asnjëra dhe as ana tjetër. Unë personalisht mendoj se më shumë fokus të vendosim tek ajo që tu bëhet trajtim të posaçëm personave të varur nga lojërat e fatit. Por kemi edhe rreth 10 mijë të punësuar në bastore, kazino dhe aktivitetet tjera që i përfshijnë lojërat e fatit. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos dëmtohen edhe ata”-pohoi Kostadin Kostadinov, LSDM.
Lidhur me propozim Ligjin për lojërat e fatit nga Komuna e Tetovës, ku shumë herë është protestuar kundër kazinove dhe bastoreve kërkojnë që në ndryshimet e ardhshme të parashihen edhe kompetencat e komunave.
Këshilli i Komunës së Tetovës kërkon ndryshime dhe plotësime që duhet bërë, të parashihen mekanizmat për kyçjen e komunës, sidomos në pjesën e shërbimeve inspektuese komunale në realizimin e mbikëqyrjes mbi respektimin e pjesës së dispozitave ligjore. Dhe i njëjti përfundimisht të dërgohet edhe në Kuvend edhe në Qeverinë e RMV-së”-tha Sumeja Ajani, Sektori Juridik Normativ – Komuna e Tetovës.
Nga Lëvizja Anti-Bixhoz vlerësojnë se më së miri do të ishte që të ndiqet shembulli i Shqipërisë dhe Kosovës dhe me ligj të mbyllen të gjitha lojërat e fatit. Në rast se nuk arrihet një marrëveshje e tillë, kërkojnë dislokimin e lojërave të fatit, së paku 3 kilometra nga vendbanimet.ALSAT-M