Lëvizja Antibixhoz: Të miratohen ndryshimet ligjore për lojërat e fatit

Lëvizja Antibixhoz kërkon nga deputet që t’i miratojnë ndryshimet e ligjit për lojërat e fatit. Ata njëherit theksojnë se edhe pse propozim-ligji në fjalë nuk e plotëson kërkesën e tyre për mbyllje të tërësishme të lojërave të fatit, i njëjti të paktën i largon ato 500 metra nga shkollat, institucionet dhe kultet fetare.

Marketing

“Do t’u apelojmë deputetëve, që të jenë shumë të ndërgjegjshëm gjatë propozim-ligjit që tani duhet të hyjë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të jenë të ndërgjegjshëm për votimin e këtij ligji. Përndryshe do të përballen me shumë protesta të ashpra nga qytetarët, pasi kjo kërkesë nuk është se ne si LAB e kemi kërkuar, por kjo është një propozim i vetë Qeverisë dhe Kuvendit që nga diku do të fillojë. Prandaj, ne i kemi dhënë dritë jeshile që të kalojë në Kuvend. Sa nuk është bërë vonë, nesër të mbyllen të gjitha lojërat e fatit rreth objekteve shkollore, që janë në RMV.”, – deklaroi Jushi Emurllahu nga Lëvizja Antibixhoz.

Nga kjo lëvizje njëherit i kërkojnë presidentit Pendarovski, që pas miratimit të ligjit ta nënshkruajë të njëjtin, me çka do ta mbrojë interesin e qytetarëve e jo të kazinove. Ata njëherit paralajmërojnë edhe mundësinë për referendum kundër lojërave të fatit.