Lëvizja BESA hedh hapin e parë në krijimin e frontit opozitar, nënshkruhet deklarata politike për bashkëpunim me Alternativën

Në frymë të kërkimit të mënyrave për artikulimin e zërit opozitar shqiptar në
Maqedoninë e Veriut, sot – në hapësirat e Kuvendit – u takuan kryetari i
Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, dhe kryetari Alternativës, Afrim Gashi.
Arsye e këtij takimi ishte zyrtarizimi i gatishmërisë për të bashkëpunuar dhe
për t’i bashkërenduar aktivitetet politike të të dyja partive në drejtim të
ndërtimit të një kampi opozitar që, fillimisht, do t’i artikulojë dhe mbrojë
interesat strategjike integruese të vendit, ato etnike shqiptare dhe, në
përgjithësi, ato qytetare, ndërsa më tej do të synohet që ky bashkëpunim të
shtrihet në nivele të tjera të ndërveprimit politik.
Duke qenë në një kapërcyell të rëndësishëm, kur procesi integrues po
ngec, kur korrupsioni politik është bërë suksesi i vetëm i këtij pushteti,
ndërsa të drejtat etnike shqiptare përsëri vihen në peshore të
disfavorshme, momenti historik imponon që të gjitha forcat politike
shqiptare, por jo vetëm politike, të bashkëpunojmë për ta deligjitimuar këtë
qeverisje të korruptuar, të paaftë dhe të dëmshme për interesat e vendit
dhe të shqiptarëve.
Për këtë qëllim, dy kryetarët, Kasami dhe Gashi, kanë nënshkruar një
deklaratë të përbashkët, që është zotimi formal i dy partive përkatëse për ta
zyrtarizuar këtë dakordim.
Për hapat e mëtejmë, për mundësitë e reja të bashkërendimit, si dhe për
faktorët e tjerë që do t’i bashkohen këtij kampi, opinioni do të informohet
më kohë.
Lëvizja BESA

Marketing