Siç u bë e ditur, në burgun e Idrizovës nga ana e policisë brutalisht janë rrahur rreth 50 të burgosur. Ndonëse motivet e vërteta akoma nuk dihen, pamjet që u publikuan për opinion tregojnë se këta të burgosur u trajtuan në mënyrën më çnjerëzore. Këtë konstatim mbase akoma më shumë e përforcon sjellja e tyre në spitalin shtetëror ku po marrin ndihmën e parë.
Organet shtetërore, të cilat kanë manifestuar këtë brutalitet, duhet ta dinë se edhe të burgosurit kanë të drejtat e tyre të përcaktuara me ligj dhe se edhe ata janë qenie njerëzore.
Derisa Ali Ahmeti, Artan Grubi e krenar Llloga me mish e me shpirt angazhohen t’ua falin veprat ish funksionarëve të korruptuar e kriminalizuar, derisa duke qenë “i burgosur”, Mijallkovi i bën dasmë milionëshe djalit të tij, derisa u bëjnë presione gjykatësve për t’i liruar pushtetarët e akuzuar, derisa bëjnë përpjekje për t’i liruar terroristët e ngjarjeve të 27 prillit, ku më së rëndi e pësoi Zijadin Sela, derisa nuk dëgjohet asnjë fjalë për shqiptarët që vuajnë dënime për shkak të rasteve të montuara, derisa konfliktet e armatosura po ndodhin në vende publike, duke rrezikuar jetët e qytetarëve, pushteti aktual fuqinë e tregon me njësinë speciale, e cila brutalisht rrah të burgosurit.
Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme duhet të japin sqarim për opinion, sepse me vet faktin se në spital kanë përfunduar rreth 50 të burgosur flet se diçka e madhe ka ndodhur. Gjithashtu sqarimi duhet të jetë adekuat dhe argumentuar, sepse në opinion qarkullojnë versione të ndryshme rreth kësaj ngjarje, e cila megjithatë, ka mund të ketë një epilog tjetër me më pak pasoja. Nëse, siç thuhet nga ana e policisë, janë gjetur aq shumë gjëra të ndaluara në Burgun e Idrizovës, atëherë kjo fakton se drejtuesit e këtij institucioni ndëshkues duhet të japin llogari para organeve përkatëse.