Lëvizja Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve për mocion mosbesimi ndaj qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë të enjten në Kuvendin e Kosovës se partia të cilës i përket ai, nga sot (6 gusht) do të nisë mbledhjen e nënshkrimeve për mocion të mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti.

Marketing

Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputëteve të kuvendit që ta përkrahin këtë nismë.

Megjithatë Selimi nuk ka treguar nëse ndonjëra parti ka treguar përkrahje për mocionin.

Para njoftimit të tij për mocionin, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, njëherësh deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se qeveria aktuale është “jokushtetuese dhe joligjore”.

“Në anën tjetër kjo qeveri tashmë e ka dëshmuar se është e paafatë për të qeverisur vendin. Edhe pse kur erdhi në pushtet kishim raste minimalisht të reja me virus dhe madje me ditë kur kishim shënuar edhe zero raste të reja të infektimeve, kur vendi ynë ishte shembull model në botë për menaxhimin e mirë të situatës me pandeminë COVID-19, në mungesë të planifikimit për t’u përballur me pandeminë kjo qeveri pa kompetencë e njohuri, e ka kolapsuar tërsisht sistemin edhe ashtu të brishtë shëndetësor të vendit tonë”, ka deklaruar Nagavci.

Përveç kësaj, Nagavci ka thënë se qeverisë Hoti i mungon edhe plani për rimëkëmbje ekonomike, duke vlerësuar se kjo përbërje qeveritare po e çon Kosovën “drejt një katastrofe humanitare”.

Për mbajtjen e seancës për thirrjen e mocionit të mobesimit nevojiten 40 vota.

Nagavci ka thënë se 31 vota tashmë veçse i kanë, duke aluduar në numrin e deputetëve që ka LVV-ja në kuvend.

Kujtojmë se qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje është rrëzuar më 25 mars përmes një mocioni të mosbesimit, të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti me të cilën LVV-ja kishte krijuar koalicion qeveritar.

Në mesin e arsyeve për mocion, LDK-ja pati përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Çka parasheh Kushtetuta me mocion mosbesimi?

  • Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, sipas Kushtetutës, mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
  • Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditë të kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.
  • Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
  • Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme.
  • Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.