Leyen shuan shpresat e fundit: Fatkeqësisht, nuk ka shenja pozitive për Shkupin dhe Tiranën

Deri sa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë drejtuar të gjitha vëmendjen te samiti i liderëve të BE-së ku do të diskutohet fati i tyre në procesin e euro-integrimit, Presidenti francez Emanuel Makron, kundërshtari më i zëshëm, nuk tha as edhe një fjalë për këtë para fillimit të takimit. Vëmendja e tij gjatë prononcimit për mediat u përqëndrua të marrëveshja për Breksitin. Tashmë në Bruksel kanë arritur të gjithë krerët e shteve anëtare kurse pikërisht marrëveshja e sapoarritur mes Brukselit dhe Londrës është pika e parë e rendit të ditës.
Presidentja e sapozgjedhur e Komisionit Evropian Ursula Fon Der Lajen në prononcimin e saj para fillimit të samitit, nuk sheh sinjal pozitiv që sugjeron dhënien e një lajmi të mirë për dy vendet e Ballkanit.

Marketing

Nuk ka sinjal që sugjeron se në takimin e liderëve të BE-së do të ketë vendim për procesin e zgjerimit. Më vjen shumë keq për këtë sepse besoj që këto dy vende kanë bërë përpjekje të mëdha për t’u afruar drejt BE-së dhe është shumë e rëndësishme t’u jepet një sinjal i vërtetë- tha për Shkupin dhe Tiranën presidente e Komisionit Evropian.

As kancelarja gjermane Angela Merkel në orët e paraditës nuk e ka fshehur pesimizmin e saj sa i takon vendimit pozotiv për Shkupin dhe Tiranën. “Shanset për arritjen e një vendimi të përbashkët në samitin e BE-së për dhënuen e datës për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk janë të mira”, ka deklaruar Merkel gjatë fjalimit në Bundestag, para udhëtimit për në Bruksel. Ajo ka shtuar se BE-ja ka përgjegjësi ndaj ketyre vendeve dhe ka llogari që t’u japë perspektivë evropiane. Pikërisht në këtë çështje thyhet i ashtuquajturi “uniteti franko-gjerman” duke qenë se Franca mbetet kundërshtarja më e fortë e fillimit të bisedimeve me një shtet aspirant para reformimit të brendshëm të unionit dhe procedurave të anëtarësimit.

Pas konferencës së përbashkët për media të një dite më parë mes Presidentit Emanuel Makron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel, duket se as presioni i Berlinit nuk ka ndikuar në ndryshimin e pozitës së Parisit. Makron tha se nuk do të ndalojë së përsërituri se nuk është arritur akoma në atë pikë të marrëveshjes.

E përshëndes kurajon dhe reformat që ka ndërmarrë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Do flisja për një sinjal pozitiv, por Ballkani është tejet strategjik për Evropën. Duhet ta reformojmë procedurën. Unë po e shpall vizionin tim gjeopolitik para kancelares- tha Emanuel Makron, President i Francës.

Presidenti francez një ditë më parë e vlerësoi arritjen e Marrëveshjes së Prespës por sa i takon Shqipërisë, i theksoi si problematike dhe të çuditshme rastet e mijëra azilkërkuesve shqiptar në Francë.

Mediat në Francë i kanë kushtuar rëndësi kundërshtimit të Parisit për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duke shprehur habinë dhe kritikat e tyre për pozitën e Presidentit Makron. Gazeta “Le Monde” thekson se diplomatët maqedonas dhe ata shqiptarë në plan të parë vendosin rrezikun e destabilizimit të Evropës nëse vonohet fillimi i negociatave. Aty shkruan se Franca është e vetme në Bruksel, sa i takon vendosjes së “vetos” për dy vendet aspirante. “France inter”, radio kombëtare, e kritikon fuqishëm pozitën e qeverisë franceze të cilën e konsideron si të kontestueshme dhe që e vendos Ballkanin të ekspozuar ndaj ndikimeve të vendeve tjera si Kina, Rusia dhe Turqia.

Në Bruksel qëndrojnë edhe dy kryeministrat Zoran Zaev dhe Edi Rama për të marrë pjesë në mbledhjen e partive socialiste të Evropës.